Sali Berisha paralajmëroi vijimin e protestave të opozitës, duke theksuar se kryeministri Edi Rama nuk mund të vërë nën kontroll vullnetin dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. Në një deklaratë nga selia blu ai ftoi shqiptarët në protestën e radhës, po pa specifikuar datën dhe orën.
“Unë garantoj qytetarët se PD është e vendosur që stinën e kryengritjes paqësore ta vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Ndaj dhe ftoj shqiptarët, në datën dhe orën e caktuar që do të jetë shumë e shpejtë, të dalim në shesh në kryengritjen më të fuqishme që të çojmë Shqipërinë drejt fitores, drejt përmbysjes së këtij regjimi armik të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për të ushtruar kontroll mbi institucionet, përfshirë SPAK, qeveria nuk do të arrijë të ndalë reagimin qytetar.
“Edi Rama vërtetë në një betejë me një prokuror guximtar, duhet ta them këtu, përdori gjithë pushtetin ekzekutiv për të mposhtur dhe për ta vënë, tani siç del në pah, në kontroll total SPAK-un, por nuk do të verë kurrë nën kontroll, vullnetin e qytetarëve shqiptarë, dinjitetin e tyre, vendosmërinë e tyre për tu ndarë me këtë të keqe të madhe”.











