Ish-Kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza edhe në drejtim të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, sipas tij i implikuar në aferë korruptive në CEZ gjatë vitit 2010. Sipas Berishës, faktet janë të bërë ditura nga një kompani e kontraktuar për të mbrojtur qeverinë shqiptare. Ai ka kërkuar që Meta të dorëhiqet për t’u hetuar nga Prokuroria.
“Akuzat ndaj teje kanë ardhur nga një studio ligjore e kontraktuar për të mbrojtur interesat e kësaj qeverie. Ju duhet të faktoni që këto fjalë i paska thënë Sait Dollapi. Akuzat ndaj teje janë të rënda. Mendoni se mund të kalohet kjo? Jo ju garantoj unë që kjo nuk mund të kalohet. Një rregull ka, jep dorëheqjen, hetohu. Ne prokurorin nuk e bëjmë. Kjo është kërkesë civile absolutisht në çdo parlament të botës. Kjo punë mund të marrë një kthesë të plotë po të votojmë paketën e dekriminalizimit.” tha Berisha
Por në reagimin e tij Meta i është kundërpërgjigjur duke u shprehur se në fakt lidhjet me të akuzuarin Kastriot Ismailaj i ka pasur Berisha dhe familja e tij. Kryeparlamentari ka ftuar ish-liderin e opozitës që akuzat t’i dorëzojë në Prokurori.
“Nuk kam ndërmend të marr nëpër gojë lidhjet e tij me Kastriot Ismailajn para dhe pas 2009. Nuk është në punën time të përgojoj të afërm të tyre. Merrini akuzat dhe cojini në Prokurori se për thashetheme jemi mësuar.” tha Meta