Kryetari i PD Lulzim Basha ngriti me kryetarët e degëve shqetësimin për qëndrimet anti-statutore të Sali Berishës, për të cilin tha se “nuk njeh asnjë institucion të PD, nuk njeh asnjë vendimarrje”.
Basha u shpreh i vendosur për të mos lejuar që kushtet e krijuara të çojnë PD-në në izolim, ta bunkerizojnë, apo ta kthejnë në një mburojë të interesave personale.
“Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburoje e interesave personale te kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prapë nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara”, tha Basha.
Basha e përforcoi argumentin se Sali Berisha e kishte justifikim nisjen e foltores me qëndrimin se vendimi për të nuk ishte marrë nga forumet.
“Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim. Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit, dhe ai përsëri thotë s’e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar te PD”, tha kreu i PD./m.j