Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ditën e sotme me një videomesazh ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po mbron me çdo kusht Belinda Ballukun.
Berisha deklaroi se “çështja Balluku është çështja Rama” dhe se ajo nuk mund të mbyllet pa largimin e tij nga pushteti. Ai kritikoi gjithashtu projektin për zhvendosjen e Porti i Durrësit drejt Porto Romanos, si dhe çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, duke e krahasuar me atë në Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Berisha theksoi se çmimi i lartë i naftës është asgjë më shumë se sa “çmimi Rama”.
Videomesazhi i plotë:
Mirëdita!
Të dashur qytetarë, ju që ndoqët sot monologun e mashtrimit të së dielës, apotrillimet e javës e patë se si Edi Rama u përpoq me çdo kusht përsëri të bëjë avokatinë e Lubi Ballukut.
Madje, tha se kjo është çështje e mbyllur.
E vërteta është se çështja Balluku nuk mbyllet kurrë dhe se çështja Balluku është vetëm çështja Rama, dhe ajo mbyllet vetëm me largimin e Edi Ramës.
Çështja Balluku është bërë një çështje ndërkombëtare, dhe Edi Rama nuk mund ta mbyllë atë me një grusht hajdutësh në parlamentin e tij.
Edi Rama vetë demaskoi veten në këtë çështje dhe dëshmoi se është autori i të gjitha veprave penale të Lubi Ballukut.
Përveç kësaj, ai foli gjatë për Portin e Durrësit, vjedhjen më të madhe që u bëhet shqiptarëve në historinë e tyre.
Ai tha se porti i tij në Porto Romano do të jetë porti i Korridorit VIII më i madh në rajon.
Në fakt, kjo është mashtrimi më i madh i ditës, sepse porti që ai ka planifikuar në Porto Romano është të paktën 4 deri në 8 herë më i vogël në dimensione sesa porti aktual i Durrësit, dhe mbi 15 herë më i vogël sesa Porti i Selanikut.
Sipas emailit që ai ka marrë nga Dhoma e Tregtisë Amerikane, është dhjetëra herë më i vogël se Porti i Pireut.
Pra, porti i vogël i Porto Romanos, me të cilin ai kërkon të zëvendësojë Portin e madh të Durrësit të shqiptarëve, portin mijëravjeçar të shqiptarëve, nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim i tmerrshëm për të vazhduar ndërtimin e Dubait të 1001 netëve të tij, parajsa në të cilën ai përfiton miliarda dollarë, bashkë me klanet e drogës përreth tij.
Çmimi i naftës ishte një trillim tjetër madhor që bëri sot ekspozenë e tij.
Naftën, të dashur qytetarë, për të kuptuar se çfarë ndodh me të, gjithnjë keni parasysh çmimet e dy vendeve përreth: çmimin e naftës në Kosovë dhe në Maqedoni, të cilat janë të paktën 70% më të ulëta se sa në Shqipëri.
Është e vërtetë që lufta në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik rrit çmimin e naftës, por e vërteta është se kjo rritje nuk përjashton Kosovën dhe Maqedoninë.
Kështu që faktori më kryesor i çmimit stratosferik të naftës në Shqipëri është vetë Edi Rama.
Çdo litër naftë që ju blini ka një taksë ndër më të lartat në botë, 1.1 euro për litër, dhe kjo është taksa Rama.
Ndaj, çmimin e naftës ju lutem konsiderojeni si çmimin Rama.
Nuk mund të ketë ulje të naftës duke mbajtur këtë çmim dy herë më të lartë sesa Maqedonia dhe Kosova.
Ndaj, të bashkohemi për këto arsye që t’i japim përgjigje përfundimtare më 22 mars, që shqiptarët dhe bota të mësojnë se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë kryehajdut, me këtë individ, me këtë qeveritar që nuk ka standard, normë as moral!











