Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili prej datës 30 dhjetor ndodhet në arrest shtëpie ka mbajtur një fjalim nga ballkoni i shtëpisë, ku i është drejtuar mbështetësve të tij që ishin mbledhur poshtë pallatit.
Berisha akuzon Ramën se pasi vodhi zgjedhjet ka filluar një luftë të egër kundër opozitës, ndërsa theksoi se protesta e demokrateve tregon një vendosmëri për tu përballuar me regjimi.
Ish kryeministri thotë se “sot jemi në një aleancë të pushtetit me krimin dhe krimit me pushtetin dhe se kjo aleancë bën që Shqipëria të rrënohet gjithnjë e më shum”.
“Shpreh mirënjohjen më të thellë, për këtë protestë tuaj e cila shpreh vendosmërinë tuaj për një përballje me ketë regjim, i cili në të vërtetë po shfaros në mënyrë paqësore shqiptarët. Me këtë regjim që arriti të vendosë në Shqipëri, pushtetin absolut të një njeriu që nuk ka interes kombëtar, shoqëror, por ka vetëm interesa personale të pushtetit të tij dhe sojit të tij të korruptuar.
Fjala krim dhe fjala vjedhje. Vjedhje e qeveritarëve, krimi që vret në rrugë, krimi që godet në çdo skaj të vendit, krimi që vendos në parlament, që vendos në qeveri, që vendos kudo në Shqipëri. Pra sot ne jemi në një aleancë të pushtetit me krimin dhe krimit me pushtetit.
Kjo aleancë ka bërë që Shqipëria të rrënohet gjithnjë e më shumë. Kjo aleancë ka bërë që 6 muaj më parë në krye të rendit dhe sigurisë, të emërohej politikani më i lidhur me krimin, se çdo politikan tjetër përveç Edi Ramës. Emërimi i Taulant Ballës nga aleanca e krimit me pushtetin në krye të rendit, shënonte dorëzimin përfundimtar të rendit, sigurisë, në duart e krimit.
Ka 6 muaj në detyrë, ka arrestuar me operacione false, me dhjetëra fëmijë e adoleshentë.
Asnjë ngarkesë droge, asnjë trafikant nuk është vënë pas hekurave, përkundrazi vijnë ngarkesat me kontejner, shkojnë te trafikatët dhe kthehen te policët e Ballës për ti pirë lëngun. Kjo ndodh se krimi ka vendosur në ministri, përfaqësuesin më të shëmtuar, Taulant Ballën.
A nuk ishte ky njeri që me dokumente u gjet se kishte shoqëruar 54 herë, Taulant Begon, Edmond Begon me siguri me çanta kokaine.
Të shoqërosh një njeri 54 herë jashtë vendit nuk mund të ndodhë përveç se ne lidhje me krimin. Taulant Balla që ka sot rendin, në një nga aktet e tij më të para prishi sistemin TIMS sepse këtu janë të stamposura gjurmët e tij me krimin, gjurmët e krimeve të Edi Ramës. Janë të stamposura qindra udhëtime të tij me avion personal, në destinacione pa asnjë mision tjetër, përveç misioneve të zeza. Në sistemin TIMS që prishi Balla janë gjurmët e vëllait të Edi Ramës, Olsi Rama që përcillte kreun e Xibrakës për në Kubë.
Në sistemin TIMS janë të gjitha aktet në gjurmë të krimeve të pushtetit dhe bandave të tyre”, është shprehur Berisha.