Nga Ben Andoni
Nëse do të vazhdojmë të merremi me mënyrën sesi drejton Sali Berisha, sesi organizon “Rithemelimin”, si organizoi Foltoret, si e materializoi Kuvendin e 30 Prillit, thjesht jemi pjesë të propagandës indirekte që i shërben ish-liderit historik dhe mëtuesit kryesor për kryetar në vitin 2022. Dhe, Berisha e ka kuptuar më së miri, qoftë dhe instinktivisht që edhe propaganda e keqe tek e fundit është një lloj ndihme e madhe për qëllimin e tij. Nëse aksidentalisht nuk do pengohej dhe do rrëzohej (një gjë që është normale për moshën), ose pak më vonë të mos i merreshin mendtë në zhvillimin maratonë të Kuvendit, pakkujt do t’i shkonte ndërmend se ky njeri ka lindur në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe po përjeton kohën ku Lufta e Tretë Botërore nuk është më nocion por thjesht një realitet që mund t’ia behë krejt papritur. Dhe, në këtë mjedis politik plot me befasi dhe pa asnjë skrupull, ai po ndërton një realitet, që edhe pse është dukshëm irracional, për një pjesë të popullsisë është i mirë! Të mjafton të dëgjoje Kuvendin e PD-së dhe e kuptoje që nga ligjërimi për ideologjinë prezantuar prej Imamit, apo përpjekjen për të mobilizuar PD-në nga Topalli dhe duke shkuar te kritikat konstruktive të Kadillit, që mbahet ende thjesht për “syrin e keq”, apo patetizmin e të tjerëve se kjo parti e ka rrënjosur thellë filozofinë e saj: Frontin Kaotik drejt të ardhmes.
E mbushur me slogane, e prirë drejt përçarjes dhe bashkimit, e paqartë për vijën ideologjike, krejt në dorë të Berishës, veçuese ndaj kritikëve, duket se diagnoza e kësaj partie është e qartë: PD është drejt daljes nga skena. Të gjithë kundër të gjithëve, duket se është ajo që e bashkon logjikën e saj. Edit Harxhi konkurroi por kryetare të PD-së, por ata që mëtonin ta mbështesnin nuk ndiheshin atëherë kur duheshin. Kadilli fliste qartë dhe në mënyrë strukturore, por pakkush e ndiqte dhe e dëgjonte. Agron Shehaj artikulonte me gjysmë zëri por njerëzit thjesht e dëgjonin për të mos e dëgjuar. Paloka do përmendte mënyrën abuzive të zgjedhjeve për Bashën dhe punën që ishte bërë në Terren për ish-kryetarin, e tashmë lufton kundër çdo gjëje të tij. Ndërkohë që të gjithë bashkë presin që Berisha të bjerë dhe t’i zenë vendin, sepse e dinë mirë që filozofia e tij nuk të çon asgjëkundi. Justifikimi nënzë: Berisha u duhet si një DASH në kështjellën e partisë, çelësat e të cilës nuk dihen ku janë. Ashtu si dinë mirë, që askush prej mëtuesve nuk do donte të ishte kryetar për sa kohë që “Mbreti” ishte aty. Për të mos harruar se i gjithë formacioni, që ndahet mes Ringjalljes (me anëtarësinë më të madhe) dhe pjesën legale, që përfaqësohet nga Alibeaj, bashkë me mini-grupet pret përgjigjen e Gjykatës për të ardhmen. Dhe, nuk mbaron këtu: përmbajtja e Këshillit tregoi se meritokracia dhe emrat iu lanë konjukturave dhe Familjes, ndërsa anëtarësia e PD-së është e bindur për të mos gjykuar por vepruar nën hijen e tij. Çfarëdo që thotë Berisha është ligj. I pashkruar. Remineshencat e komunizmit janë bash në këtë parti, që për fat të keq, është menduar dhe mëtohet si përfaqësuesja kryesore e opozitarizmit shqiptar. Koha është e pamëshirë, kurse gjuha politike që po përdorin Rithemelistët e Berishës, në fakt vetë Berisha është ajo që të gjithë e shohin: Të shesësh kaos dhe paqartësi pas retorikës së bukur në emër të interesit. “ Gjuha politike dhe me variacione, e vërtetë për të gjitha partitë politike, qysh nga konservatorët deri te anarkistët është krijuar për t’i bërë gënjeshtrat të tingëllojnë të vërteta dhe vrasjen të respektueshme dhe për t’i dhënë një dukje të qartë erës që i vjen të gjithës”, shprehej Xhorxh Oruell.
A ka më shumë se kaq? A mundet që baza e sotme e PD-së të bëjë ndonjë gjë më të madhe nën Berishën, veç sloganeve kundër Ramës dhe mëtimin për drejtimin e gabuar Basha?! Me sa duket, jo, pasi Berisha është e keqja më e vogël te PD-ja. (Javanews)
Një shkrim shumë koherent, i saktë në parashikime dhe në progresin e mendimit dhe të veprimit të PD-së.
Dash Shehi, para disa vjetëve, në një intervistë s’di se ku, në përgjigje të gazetarit se kush ishte numëri 2 i PD-së, pas Berishës, Dashi, me një batutë sinjifikative, kuptimplote dhe largpamësie, u shpreh se NGA NUMËRI NJË, E DERI TEK NUMËRI 50 ËSHTË SALA VETË. MBAS NUMËRIT 50, mund të flasim se kush mund të rreshtohet…….
Kjo është aktuale edhe sot.
Konsiderate për autorin.
Lan XHABIJA – Kanada