Berisha edhe kundër BE: 2030-ta, jo realiste! Drejtësia e re si në diktaturë

Në një kohë kur përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thonë njëzëri se integrimi I Shqipërisë është një objektiv i mundur brenda 2030 dhe se politika duhet të bëhet bashkë për këtë ambicie, për kreun e PD-së Sali Berishën, premtimi është jorealist.

“Viti 2030 nuk është vit realist. Kur shikon vendet, të cilat shkelin masivisht zgjedhjet, shkelin të drejtat e njeriut, po të shkosh në burgjet shqiptare, 70 përqind e të burgosurve janë në paraburgim, pra thjesht plasi aty.

Po të shikosh të drejtën e pronës dhe të drejtat e tjera, janë shkelje masive e të drejtave të njeriut. Sikurse u thashë, nuk ekziston një ekonomi tregu konkurruese në këtë vend. Kemi një narko-ekonomi dhe ekonomia e oligarkëve dhe klientëve”, tha Berisha.

Arsyen kryesore e lidh me akuzat që edhe një herë i përsëriti në një tryezë diskutimi me përfaqësues të fondacionit të Partive Popullore Europiane, Martens Centre, se Prokuroria e Posaçme dhe drejtësia e reformuar janë të kontrolluara nga qeveria.

“Kemi një prokurori të posaçme, pothuajse identike me kohën e diktaturës. Këto reforma, të cilat i dhanë qeverisë kontrollin e gjyqësorit po shkatërrojnë vendin dhe janë shumë të dëmshme për demokracinë në Shqipëri. Asnjë prokuror nuk duhet të kontrollojë gjyqtarin, gjyqtari duhet të ushtrojë kontrolle të tjera”, vijoi Berisha.

Por ndonëse i pakursyer në akuza ndaj njerëzve të drejtësisë, Berisha mori në mbrojtje prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli për të cilën tha se Rama po bën luftë politike për ta shkarkuar.

“Prej dy javësh ajo po merret me një prokurore të re që kishte zbatuar ligjin dhe jo vullnetin e kryeministrit. Dhe tani po bëhet luftë se si ta shkarkojnë dhe ta shajnë”, tha Berisha.

Integrimi sipas kreut të opozitës është zvarritur edhe nga politikat që Rama e Vuçiç kanë ndjekur me nisma rajonale.

“Problemi është se autokratët e rajonit, filluan me projekte të reja. Shpeshherë ne mendonim se as Rama dhe as Vuçiç nuk ishin të interesuar për integrimin. Ata shanin dhe hidhnin fajin lodhjes dhe shpikën ‘Ballkanin e Hapur’, theksoi ai.

Nuk harroi pa përmendur zgjedhjet, që sipas tij do të çojnë në parlament, e më tej si përfaqësues të Shqipërisë në institucionet evropiane njerëz të dalë nga krimi.

Ndërsa përfaqësuesi i fondacionit të Partive Popullore Evropiane, Martens Centre Tomi Huhtanen tha se rruga drejt integrimit duhet të shoqërohet me reforma të thella që luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.