Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta sot janë aleatë, por nuk ishin kështu pesë vite më parë. Ish kryeministri demokrat akuzoi kreun e atëhershëm të Kuvendit, sot President i Shqipërisë Ilir Meta se është përzier në aferën e CEZ-DIA duke negociiuar pa dijeninë e tij dhe duke marrë ryshfet prej miliona eurosh.
Në seancën parlameëntare të 9 shtatorit të vitit 2015, Sali Berisha e cilësoi skandalin e CEZ Shpërndarje si më të madhin e këtyre viteve dhe kërkoi hetim ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të akuzave për kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Ilir Meta.
Në fjalën e mbajtur në Parlament, Berisha kërkoi hetimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, të cilin e akuzoi se qëndron pas marrëveshjes së firmosur mes CEZ dhe kompanisë së mbledhjes së borxheve, “Debt International Advisory” (DIA), e drejtuar nga Kastriot Ismailaj.
“Shqipëria sundohet nga banditizmi.. ka shpërthyer afera më e madhe e këtyre viteve, ajo e CEZ. Kërkoj hetim ndërkombëtar për këtë çështje” tha ish-kryeministri në atë kohë.
Duke iu referuar dëshmisë së ish-shefit të CEZ, Jozef Hejsek, Berisha akuzoi Metën se ka negociuar për Kastriot Ismailajn, i cili është arrestuar nga prokuroria për pastrim parash dhe mashtrim. Ish kryeministri demokrat denoncoi gjithashtu edhe kërcënimin e dëshmitarit të mbrojtur të kësaj çështjeje.
“Këto ditë mediat kanë zbuluar një akt tjetër korruptiv sipas të cilave njëra nga kompanitë e kontraktuara nga vetë CEZ DIA e njëfarë Kastriot Ismailaj ka dhënë rryshfet ministrit të jashtëm të asaj kohe.
Nga ana tjetër një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta ministër i jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn.
Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi.
Me CEZ ka qenë i ngarkuar ministri i tij i Ekonomisë Edmond Haxhinasto, ka qenë i ngarkuar ministria e Financave, grupi i punës i përbërë nga gjithë të tjerët, por në asnjë rast nga asnjë zyrtar i ministrisë së Jashtme”, u shpreh Berisha.
“Cilat janë motivet që kanë shtyrë Metën të takojë Hajsek dhe të negociojë për Ismailajn duhet ti shpjegojë ai dhe prandaj ne i kërkojmë dorëheqjen. Akuzën që iu bë ia transferoi Vilson Ahmetajt dhe ai tha se s’kam asnjë lidhje. Petriti, vëllai i Vilsonit, është sot kryetar i ERE i emëruar nga Edi Rama.
Çështjen e CEZ e ka ngritur kryeministri çek dhe e ka marrë përgjigjen që mua më takonte ti jepja. Pas tij dërgoi presidentin e CEZ dhe përcaktuar katër gjëra”, deklaroi në atë kohë ish kryeministri demokrat.
Berisha nuk është ndalur me akuzat ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, se ka marrë ryshfet nga kompania e Kastriot Islamajt, e kontraktuar për të mbledhur borxhet e ish-CEZ.
Ai përsërit se nuk kishte dijeni për numrin dy të qeverisë së tij dhe për ndërhyrjet që ai bënte tek çekët e CEZ.
“Unë nuk kam patur asnjë dijeni për angazhimin e Metës për Ismailajn mbasi përzgjedhja e kompanive për borxhet e ÇEZ ishte e drejtë ekskluzive e ÇEZ dhe nuk kishte e nuk mund të kishte asnjë lidhje me qeverinë dhe nuk kam patur asnjë ankesë nga kompania çeke për ndërhyrje apo imponime në përzgjedhjen e kompanive”, iu përgjigj Berisha pyetjes për mosreagimin e tij në kohën kur pretendohet se Meta është përshirë në skemën e korrupsionit duke favorizuar kompaninë në fjalë.
Lidhur me akuzat, Sali Berisha pesë vite më parë ka kërkuar që qytetarët të ngrihen në këmbë për të kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës për aferën shumëmilionëshe të korrupsionit.
“Meta në megaaferë shumë milionëshe korruptive! Ai përdor si mburojë imunitetin, refuzon dorëheqjen! Rama fshihet pas emrit të Metës! Ky është standardi i aleancës se qelbësirave. Qytetarë në këmbë!”, reagoi sërish Berisha në një shkrim të gjatë në rrjetin social Facebook në atë kohë.
Ish kryeministri tha se avokati i studios së zgjedhur nga Rama ka akuzuar Metën për marrje ryshfeti në shuma të mëdha.
“Dje mediat online botuan akuzat e rënda për Ilir Meten nga avokati i studios së famshme Clifford Chance e përzgjedhur nga Edi Rama, qeveria e tij për të mbrojtur palën shqiptare.
Kështu, dokumente autentike dëshmojnë se avokati i famshëm i kësaj studioje Tim Schreibe, seancën e gjykimit në arbitrazh ndërkombëtar kundër kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt, që ka vjedhur në bashkëpunim shuma të mëdha nga borxhet prej 200 milionë dollarë të CEZ, ka akuzuar Ilir Metën duke mos e cituar me emër por duke thëne se kompania Ismailaj i ka dhënë shuma të mëdha ryshfet një ish-kryeministri të akuzuar edhe më parë për korrupsion”, shkroi Berisha.
Një fakt të dytë, Berisha përsërit se Meta jashtë çdo autorizimi që i jepte posti i Ministrit të Jashtëm ka ndërhyrë në lidhjen e kontratës.
“Po një akuzë tjetër po kaq të rëndë për këtë aferë i bënë Ilir Metës dhe ish-kreu i bordit të drejtorëve te ÇEZ, Jozef Hajsek, i cili ka dëshmuar se në kohën kur Meta ishte ministër i Jashtëm (jashtë çdo autorizimi) ka negociuar (pra jashtë çdo autorizimi, shënimi i imi) me atë, që çekët e ÇEZ-it të punonin me Ismailajn pasi ai kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij”, tha Berisha.
Por në akuza nuk ka mbetur prapa as kreu zyrtar i PD Lulzim Basha. Lideri i opozitës ka akuzuar ish kreun e Kuvendit, aktualisht presidenti, Ilir Metën se kompanisë CEZ iu falën miliona euro ndërsa kompania e mbledhje së borxheve DIA, vodhi 135 milionë euro.
Sipas Bashës, mega-afera korruptive ka për kumbarë Ramën e Metën, të cilët po bëjnë gjithçka për të manipuluar hetimet dhe opinionin publik.
“2 miliardë euro CEZ mund t’i detyrohej Shqipërisë në fund të një procesi të suksesshëm arbitrazhi. Detyrimet e njohura dhe të konfirmuara nga kompania CEZ, përfshi edhe 135 milionë euro të aferës CEZ-DIA, është bërë e qartë nga të gjithë se pas DIA-s është Ilir Meta.
DIA është adresa e Ilir Metës, ose njërit prej kumbarëve nga do të kalonin miliona euro. Dje pamë se si dëshmitari kyç që ka në dorë të shpëtojë 135 milionë euro u kërcënua.
Elvis Mataj (ish kreu i LRI tani në arrati) është kërcënuar me jetë, ai dhe familja e tij.
Kreu i PD u shpreh i bindur se kjo aferë korruptive do të zgjidhet ndërsa përsëriti se Partia Demokratike do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese si dhe do të paraqesë në Kuvend kërkesën për hetim ndërkombëtar, me kusht dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta.
Në vija të përgjithshme kontrata mes CEZ Shpërndarje dhe DIA, e cila u hetua nga Prokuroria si skemë mashtrimi me dëm 4.5 milionë euro u negociua në vitin 2009, kohë kur Meta mbante postin e ministrit të Jashtëm dhe Berisha ishte në krye të ekzekutivit. Por çështja u rikthye në qendër të debatit publik, pas tre investigimeve të publikuara nga BIRN mbi këtë aferë.
Duke iu referuar një raporti që zyra ligjore e OSHEE, Clifford Chance ka dorëzuar në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë, dëshmisë së ish-shefit të CEZ, Jozef Hejsek dhe intervistave me ekspertë, BIRN argumetoi se CEZ Shpërndarje kontraktoi kompaninë e Kastriot Ismailajt, me gjasë për të ndikuar politikanët shqiptarë dhe Entin Rregullator të Energjisë.
Ish-shefi i CEZ, Hejsek dëshmoi se kontrata me Ismailajn ishte firmosur, pasi ai u prezantua nga ambasadori shqiptar në Pragë, Qazim Tepshi (tashmë i ndarë nga jeta në mënyrë misterioze) si “njeri i besuar” i Metës dhe aleat i ish-kryeministrit Berisha. I cili ka qënë në takimet e Metës!
Sipas dokumenteve, CEZ Shpërndarje i pagoi DIA-s së Ismailajt 4.5 milionë euro për një raport të rremë për mbledhjen e borxheve dhe punë të tjera të pakryera. Sipas zyrës ligjore që mbron interesat e OSHEE-së në arbitrazh, një pjesë e këtyre parave shkruan në xhepat e politikanëve të rëndësishëm dhe zyrtarëve të ERE.
“Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin…politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish kryeministër i proceduar për korrupsion…si dhe një zyrtar i ERE”, shkruan Clifford Chance.
Meta i ka mohuar akuzat, duke deklaruar në parlament se “Shqipëria ka pasur shumë ish-kryeministra”.
Por sipas Clifford Chance, përpara se marrëdhënia midis CEZ Shpërndarje dhe Ismailajt të prishej në vjeshtën e 2011, biznesmeni shqiptar arriti të influencojë të paktën një vendim të dyshimtë të ERE.
Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ shpërndarje, në tre pagesa prej 485,000 euro për raportin fals të identifikimit të debitorëve. Vendimi i marrë nga ERE në dhjetor të vitit 2010 ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lek në 1.48 lekë.
“Dëmi i shkaktuar në kompaninë shtetërore dhe të subvencionuar KESH nga ky vendim arbitrar vlerësohet në më shumë se 30 milionë dollarë”, argumenton Clifford Chance.
Situata ka precipituar në një precedent të rrezikshëm në atë kohë, teksa Kastriot Ismailaj përmes deklaratave për mediat dhe vetë bashkëshortja e tij, Vojsava Ismailaj, kanë akuzuar direkt Ilir Metën për kërcënime. Por dhe se i janë kërkuar shuma të mëdha bashkëshortit të saj. Me te cilave 200 mije euro ne prag te zgjedhjeve!
Mister është dhe roli i Robekës së famshme dhe këshilltarit aktual të Presedentit, Lazimi!
Këto kanë qënë marrëdhëniet mes Berishës, Bashës dhe Metës 5 vite më parë dhe shpresojmë që të mos ketë më përplasje mes tyre, pasi nuk dihet se cilat do të jenë xhevahiret e radhës që do t’i zbulojnë njëri tjetrit.
Ndërkohë që me këtë barrë akuzash do të hyjnë në zgjedhje si aleatë me njëri tjetrin, ndërsa SPAK dhe BKH mjafton të administrojnë akuzat e ndërsjella për të kryer gjysmën e hetimit pëer këtë megaaferë që i ka kushtuar shtetit në total mbi 500 milionë euro./TEMA