Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit, ka kërkuar vendosjen e një regjimi fiskal të ngjashëm me Kosovën dhe Maqedoninë për çmimin e karburanteve, duke e cilësuar situatën si emergjente.
Berisha tha se rritja e çmimit të naftës në Shqipëri është ndikuar nga lufta në Gjirin Persik dhe pasojat e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, si dhe goditja e impianteve të naftës dhe gazit nga Irani.
Sipas tij, normalizimi i tregut kërkon javë e muaj, ndërsa qytetarët shqiptarë po përballen me një sistem fiskal “ndëshkues”.
Ai akuzoi qeverinë për vendosjen e një takse prej 1.1 euro për litër nafte, duke e cilësuar si më të lartën në botë.
“61 përqind e çmimit të naftës e përcakton taksa. Një gjerman shpenzon 1.25% të të ardhurave ditore për naftën, ndërsa një shqiptar 7.3%, pra shtatë herë më shumë,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD tha se kjo politikë penalizon më shumë fermerët, pensionistët dhe shtresat e tjera të popullsisë, duke rritur çmimet e transportit dhe ushqimeve.
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë detyrohen të shkojnë në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, për të mbushur serbatorët me çmim më të ulët.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për “mungesë ndjeshmërie” ndaj qytetarëve dhe e cilësoi rritjen e të ardhurave fiskale si mashtrim ekonomik.
“Vetëm nga rritja e çmimit në 220 lekë, shteti fiton 8 lekë për litër më shumë, dhe kjo paraqitet si rritje e GDP-së. Nuk ka mashtrim më të madh se ky,” tha ai.
Në fund, Berisha theksoi se për këtë situatë, opozita kërkon që Kuvendi të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin për uljen e çmimit të naftës, duke paralajmëruar pasoja të rënda edhe në produkte të tjera jetësore nëse nuk ndërhyhet.











