Ish-kryeministri Sali Berisha një nga takimet me demokratët do ta ketë në Gjirokastër. Ish-kandidati për deputet dhe njëherazi anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Roland Bejko, tha se për organizimin e takimit po merret Tritan Shehu.
I pyetur nëse do të priste në Gjirokastër edhe Sali Berishën edhe Lulzim Bashën, Roland Bejko ka dhënë këtë përgjigje.
“Të them të vërtetën Tritani merret me këtë punë. Kishte qenë para tre ditësh në Gjirokastër që të krijojë kushtet për takimin e Berishës. Se prandaj e vuri Basha që të mbështesë Berishën”, tha Bejko me ironi.
Ai theksoi se nuk do të shkonte në takimin e Berishës sepse sipas tij kjo është luftë e pastër për pushtet, nuk është një luftë parimore.
“Unë do të shkoja me zotin Berisha nëse nuk do të ishte “non grata” dhe ditën kur humbëm zgjedhjet do t’i kishte thënë Bashës “stop” për zgjedhjet e brendshme në parti. Sali Berisha nuk e bëri këtë, por reagoi pasi iu cënua interesi personal”, deklaroi Bejko.
Bejko tha ndër të tjera edhe se vendimet në PD deri më tani janë marrë bashkë mes Bashës dhe Berishës.