Ylli Zalla nuk është arrestuar nga policia, por u vetëdorëzua.
Kështu deklaroi kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, teksa komentoi aksionin e policisë për kapjen e të shumëkërkuarit.
“Këto ditë u provuan shqiptarëve se vendi është totalisht në duart e krimit.
Në Sarandë, ai që duhet të luftojë krimin, shkon në diskotekë dhe në akte të palejueshme shqetëson qytetarët në lokal, detyron badigardët ta nxjerrin si një rrugaç jashtë lokalit dhe pastaj vërsulet policia kundër tyre.
Në Elbasan, siç e patë ju, ditën për drekë, para kamerave, para gjithë qytetarëve, vrasësi i vendos pas kokën tytën e revoles viktimës, pa asnjë lloj hezitimi apo shqetësimi.
Pas arrestimit, fillon përbaltja edhe e kriminelit, edhe e viktimës, në përputhje me doktrinën ‘kokën t’i hanë njëri-tjetrit’.
Një i shumëkërkuar, Ylli Zalla, i vendosin tritol në banesë dhe bën konferencë shtypi para shtëpisë së rrënuar nga tritoli. Akuzon policinë si autore e mundshme e tritolit.
Lamallari mashtron qytetarët, thotë se e arrestuan, ndërkohë Zalla u dorëzua vetë. Se si mund të ketë dorëzim tjetër se sa të dalë në konferencë shtypi, vetëm mendja bosh e Lamallarit mund ta cilësojë arrestim. Ai u dorëzua”, tha Berisha.
Kreu i PD më tej komentoi edhe situatën e zjarreve.
“Zjarret në të katërt anët janë jashtë kontrollit. Trajtimi i zjarrfikësve është cinik, i pashpirt. Asnjë qindarkë nga premtimet dhe që e meritojnë shtesat për vështirësi, atyre nuk u është dhënë. Rama dhe ministrat e tij bronzohen në diell, në plazhet më turistike të vendit. Një shtet mafioz pa ligje që funksionon i tëri në duart e krimit”, tha Berisha.











