Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ishte i pranishëm në konferencën për cilësinë e barnave organizuar nga një prej universiteteve private.
Gjatë fjalës së mbajtur Beqaj veçoi shtimin e barnave patentë të regjistruara gjatë du viteve të qeverisjes së majtë.
Ministri theksoi se pas ligjit të ri të barnave, Receta Elektronike dhe sistemi i gjurmimit “track-and-trace” janë dy hapa të tjerë të rëndësishëm tekikë për rritjen e cilësisë së barnave që tregtohen në vend.
Më poshtë fjala e minsitrit Beqaj:
Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet, dhe padyshim, përgëzime për temën që keni zgjedhur për të diskutuar!
I nderuar Rektor i Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”,
I nderuar Rektor i Universitetit të Barit,
Shkëlqesia Juaj Ambasador,
Drejtues të Urdhrit të Farmacistëve, mysafirë që keni udhëtuar nga Universiteti i Barit apo nga Agjencia Italiane e Barnave, profesionistë të shëndetësisë, studentë,
Çështja e cila po diskutohet sot është e rëndësishme, është delikate, lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e çdo individi, por edhe me imazhin e sistemit shëndetësor të vendit. Me besimin apo sigurinë që ai të jep, apo me dyshimet dhe mëdyshjet që mund të mbillen në funksionimin e tij.
Kjo temë, në fakt, ka qenë edhe një temë e ndjeshme në diskursin publik dhe politik në Shqipëri, kryesisht vitin e fundit. Ka qenë përgjithësisht e asociuar edhe me një proces, – për vlerësimin tim të rëndësishëm që ka ndodhur në Shqipëri, – që është ulja e ndjeshme e çmimit të barnave. Proces ky, që u shoqërua edhe me dyshime për cilësinë e barnave. Pra, nëse ulja e çmimit të tyre u bë në kurriz të cilësisë së barnave, apo mund të themi nëse iu hap rruga kompanive më pak të sigurta.
Ne kemi një ligj të ri të barnave të korrikut të vitit 2014, i cili sigurisht si çdo ligj i ri, edhe pse është i mirë në vlerësimin tim në letër, përpiqet të përafrojë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, probleme të cilat çdo ligj i ndesh në rrugën e tij të zbatimit, dhe ne, ende, sigurisht nuk kemi bërë dy vjet, megjithatë, ne ende vazhdojmë përpiqemi.
Sigurisht që unë do të ndaj me ju dhe publikun dy tre të dhëna që në gjykimin tim e rrëzojnë atë që u përpoq të krijohet si mjegull, që çmimi i barnave u ul në kurriz të cilësisë së tyre
Nëse do të marrim periudhën që kur Qeveria ku unë bëj pjesë është në detyrë, kanë kaluar 135 javë. Nga kjo periudhë ne kemi regjistruar 162 barna origjinatorë. Pra, çdo javë është regjistruar një bar i ri patentë, 10 prej prej tyre janë të markave italiane.
Ajo çka është tjetër e rëndësishme, nëse në 2013 barnat origjinatorë në vlerën e tyre të importuar në Shqipëri përbënin rreth 35% të importit, në 2015 arritën në 54% të importit. Nuk marr përsipër të përdor fjalën “abuzim me çmimet”, sepse gjithçka bëhej në mënyrë legale, por tejkalimi me çmimet behej më shumë me gjenerikët.
Shqipëria ishte bashkë me Meksikën, dy vende në botë ku për të njëjtin princip aktiv gjenetiku kushtonte më shumë se gjeneratori. Situatë tashmë kjo e cila është kapërcyer, dhe sot kemi barna të reja të regjistruara dhe në vlerë pesha specifike e origjinatorëve është më e madhe. Madje, për disa origjinatorë për përdorim me uljen e çmimit, volumi i importuar është rritur, sepse pa dashur të hyj në emra patentash sepse do të dukej sikur bëj reklamë për një bar apo për një tjetër, sigurisht kur një çmim është më i ulët, qytetarët kanë preferuar të shkojnë tek ai bar, apo nëse bashkëpagesa në rimbursim është reduktuar ndjeshëm, sigurisht me pak bashkëpagesë kanë preferuar një bar me më shumë emër, në kuptimin e markës, se sa një bar tjetër.
Ulja e çmimeve të barnave, unë besoj se ka interes të drejtpërdrejtë. Ka interes direkt për individin në kushtet kur ai e paguan ose e bashkëpaguan. Ka interes edhe indirekt për individin, edhe pse vazhdon të ketë boshllëqe apo mungesa, spitalet tona janë shumë më tepër të furnizuara, dhe si qytetar ndihesh më mirë se me të njëjtin buxhet kur shkon në spital, nëse do të kesh nevojë do të kesh më shumë barna. Por, edhe si taksapagues, me të njëjtat para taksash, arrihen të furnizohen edhe më mirë spitalet, edhe më shumë edhe lista e rimbursimit.
Megjithatë, këto janë vetëm hapat e parë.
Ne besoj se po ndërmarrim dy momente të tjerë të rëndësishëm të karakterit më shumë teknik që do të ndihmojnë në rritjen e sigurisë së barnave, por edhe të besimit të publikut tek zinxhiri i tregtimit. Është pikërisht aplikimi i recetës elektronike në të gjithë vendin. Prej gati më shumë se 5 muajsh zbatohet në Durrës dhe deri në fillim të vitit të ardhshëm do të zbatohet në të gjithë Shqipërinë.
Nga ana tjetër, edhe vendosja e sistemit të gjurmimit të barit “Track and Trace”.
Unë do të kisha preferuar këtë periudhë, që vetë zyrat e përfaqësisë të prodhuesve farmaceutikë të ishin më aktivë për të mbrojtur produktet e tyre, imazhin e produktit të tyre dhe për të forcuar besimin e qytetarëve në këtë rast si konsumatore tek produktet e tyre.
Por, së fundi, përpara se ta mbyll, meqenëse kemi prezencë profesionistësh të nderuar dhe me eksperiencë nga Italia, do të doja të shtroja një çështje, që nëse gjeni hapësirë të mund ta diskutoni gjatë ditës edhe pse unë për një sërë impenjimesh të tjera nuk mund të rri deri në fund të konferencës.
Ndjej përherë e më tepër një shqetësim, do të doja që ju sot të diskutonit se deri ku do të shkojë profesioni juaj dhe etika në zbatimin e tij, midis kërkesës dhe nevojës që mund të ketë një pacient shqiptar për një bar të caktuar dhe mosprezencës së tij në një moment të caktuar kohe dhe hapësire në kanalet normale të tregtimit.
Pra, një mjek shqiptar që mund të ketë marrë një informacion krejt natyrshëm shkencor që në EMA (European Medicines Agency ose Agjencia Evropiane e Barnave) apo FDA (Food and Drug Administration ose Zyra për Ushqimin dhe Barnat e SHBA-ve) është regjistruar një bar i ri, inovativ por që ende nuk është prezent në Shqipëri, a duhet ta përshkruajë apo jo?
Do të doja që ju të mund të diskutonit nëse gjeni hapësirë dhe të dilnit me disa opinione me pro dhe kundra, me të mirat dhe të këqijat. Për më tepër, një farmacist jashtë interesit ekonomik, por thjesht në interes për t’i shërbyer qytetarit nëse shikon që një, dy, tre apo katër herë fillon dhe shtohet kërkesa për një bar me recetë, i cili nuk është në Shqipëri as i regjistruar, as nuk hyn në kanale të tjera normale, a duhet t’ia hapë rrugën qarkullimit të tij?
Pra, midis nevojës që ka pacienti për një bar të ri, përmasave që ka sot tregu i barnave dhe zhvillimi i Shqipërisë dhe mungesa e tij e përkohshme dhe më afatgjatë, dhe rrezikut që po ky mjek do ta shpëtojë me këtë bar, e nxit ta marrë këtë medikament pasi ka ndenjur dy ditë në diell mbi një temperaturë të përcaktuar “X”.
Do të doja nëse sot krijoni hapësirë, pa prishur rendin e punimeve të konferencës, të mund të diskutonit dhe pastaj sigurisht me bashkëpunëtorët e mi të mund të diskutojmë.
Faleminderit!