Në hapësirën për debat të emisionit ‘Java në RTSH’, kanë qenë të ftuar deputeti socialist Ilir Beqaj dhe sekretari i çështjeve ligjore në PD, Çlirim Gjata.
Në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, u komentua protesta e 16 Shkurtit të thirrur nga opozita.
Por duke sjellë në vëmendje arsyet përse shqiptarët duhet t’i bashkohen kësaj thirrje, Çlirim Gjata solli në vëmendje një lajm të së premtes.
“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot, pasi i janë hequr katër dënime të përjetshme Dritan Dajtit dhe ai më shumë se 25 vite nuk mund të dënohet. Nuk di nëse ka gjyqtar ta marrë këtë vendim nëse nuk ka mbështetje të fuqishme politike. Ka ndodhur më parë edhe me Lulzim Berishës. Do vijë dita që do mbeten qelitë bosh sepse të rrezikshmit po lirohen. Ku është reforma në drejtësi këtu? Po ju sjell si shembull atë djalin që vrau para disa vjetësh turistët çekë. Kërkoi gjykim të shkurtuar dhe nuk ia pranuan. Ndërsa Dritani Dajti ka vrarë katër policë” – tha sekretari i PD, Çlirim Gjata.
Por deputeti Beqaj replikoi ashpër në studion e emisionit ‘Java në RTSH’. Ai u shpreh se opozita duhet të marrë përgjegjësitë për vonesat që ka shkaktuar në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
“Gjata thotë e njoh unë sesi është gjykata. Sigurisht që e njeh drejtësinë e28 viteve se ka futur duart aty dhe mendon se e njeh. Nëse partia demokratike do ta kishte nxitur reformën dhe jo frenuar me vonesa në parlament dhe në Venecia, do të kishim ecur shumë më shpejt drejt organeve të reja të drejtësisë. Opozita e ka vonuar plot dy vite reformën dhe sot jemi në këtë situatë që mezi u ngritën KLGJ dhe KLP. Pse nuk e dhanë mbështetjen me shkollën e Magjistraturës për boshllëqet që krijoi tranzicioni nga drejtësia e vjetër, tek ajo e re? Sigurisht për të bllokuar proceset” – u shpreh Ilir Beqaj, deputet i Partisë Socialistë.
Por duke u rikthyer tek thirrja për protestën e 16 shkurtit, Çlirim Gjata tha se Partia Demokratike po i fton qytetarët për vjedhjet e mëdha që po ndodhin përmes PPP-ve. Ai pranoi se protesta nuk do të jetë e dhunshme, pasi PD pret të vijë në pushtet përmes votës së lirë.
“Pas marrëveshjes së çadrës ne pranuam një marrëveshje dhe hymë në zgjedhje për hir të ndërkombëtarëve. Sepse janë njerëz që na kanë qëndruar pranë në ditë të vështira. Dhe u thamë ndërkombëtarëve pas zgjedhjeve se ja ku na çoi marrëveshja. Kështuqë me këtë qeveri nuk ka marrëveshje të re. Qytetarët të çohen në protestë për ekonominë që është rritur vetëm për 5 oligarkë” – tha Gjata në debat.
Ndërkohë që analisti Preç Zogaj theksoi se një protestë e suksesshme është para së gjithash demokratike. Ai u shpreh se opozita e Lulzim Bashës ka vendosur që në krye të herës standardin e protestave të mëdha paqësore dhe demokratike.
“Në historinë e demokracisë sonë protestat më të suksesshme kanë qenë ato që kanë bashkuar në një, pjesëmarrjen e madhe me karakterin paqësor. Këto protesta e kanë vendosur qeverinë e radhës në kursin e rënies dhe opozitën në kursin e ngritjes duke paralajmëruar rrotacionin me votë në zgjedhje. Protestat më të dështuara, madje tragjike, kanë qenë ato që janë thirrur “për t’i dhënë fund” me shtytjen e retorikave antidemokratike. Këto retorika kanë patur për qëllim të krijojnë ngjarje të bujshme nëpërmjet pushtimit të ndërtesave të institucioneve, duke luajtur me injorancën që e konsideron pushtetin ndërtesë. Nuk ka asnjë arsye të mos e vazhdoje këtë model në protestën e 16 shkurtit dhe në të tjera pas 16 shkurtit. Forca në politikë nuk është dhuna, por vendosmëria, qëndrueshmëria, argumenti, qartësia, besueshmëria. Mençuria dhe realizmi gjithashtu” –tha Zogaj.
Ndërsa deputeti Beqaj ironizoi duke u shprehur se Basha ka dy muaj që ka nisur një tur për t’u mbushur mendjen njerëzve që të protestojnë një ditë.
Ai solli në studio një video ku Basha fton qytetarët të protestojnë madje edhe kundër ligjit për ndalimin e duhanit në vendet publike! Nga ana tjetër ai solli shifra të institucioneve ndërkombëtarë sa i përket ekonomisë shqiptare.
“Meqenëse u përmend ekonomia, arsimi, rendi… Çështje sigurisht të rëndësishme! Atëherë dua t’ju bëj të ditur se ekonomia e konfirmuar me 4.25% rritja ekonomike e vitit 2018. Në vitin 2013 e gjetëm me 1%. E dyta, jetesa e shqiptarëve: Zyrtarisht kemi 260 mijë vende pune më shumë në sektorin jobujqësor. Viti i kaluar ka pasur tre momente të rëndësishme; 6 milionë turistë të huaj, jo emigrantë shqiptarë. Viti që sapo u mbyll ka raportin më të mirë të eksportit. Kjo është arsyeja pse monedha vendase sot është e forcuar. Gjithashtu në vitin 2018 kaluam për herë të parë 1 milion tonë krom, 12 mijë ton në peshkim etj” – tha Ilir Beqaj duke sjellë në studio grafikët.
Deputeti socialist tha se thirrja e opozitës duhet t’i shërbejë asaj vetë edhe për një reflektim.
Por një përplasje e ashpër ndodhi në studio teksa Gjata e akuzoi Beqajn për përfitime në tendera.
“Vetëm kompania e zotit Beqaj ka marrë 147 tendera që kur qeveria socialiste ka ardhur në pushtet. Ne jemi vend i vogël i dimë të gjitha. 32 milionë euro kanë marrë kompanitë e tij këto gjashtë vite” – akuzoi Gjata.
Por deputeti socialist u distancua nga akuzat duke i cilësuar si të pavërteta dhe lehtësisht të vërtetueshme përmes dokumentacionit ligjor. Ilir Beqaj deklaroi drejtpërdrejtë në studio se e pret Çlirim Gjatën në gjykatë për këtë shpifje të bërë publikisht.
“Mu bënë dy akuza konkrete, i kam dëgjuar edhe herë të tjera. Për këtë akuzën që kam vjedhur, do të takohemi në gjykatës. Dhe mos u mbro siç mbrohet Lulzim Basha se po shprehet politikisht. Do vish në Gjykatë të tregosh milionat e mija. E dyta, po ta them se je dhe i ri në akuzat e mia. Ajo kompani që përmend t’i ka bërë shumë më tepër biznes në kohën e PD-së” – tha Ilir Beqaj në studion e emisionit ‘Java në RTSH’.
Beqaj: PD po nxit humbjen e besimit në sistemin bankar
Duke folur në studion e emisionit ‘Java në RTSH’, deputeti Ilir Beqaj tha të premten se opozita po kërkon të cënojë ekonominë duke bërë thirrje kundër sistemit bankar. Ai tha se Partia Demokratike e ka bërë vazhdimisht këtë skenar me financat e vendit, por që kanë rezultuar ‘fatale’ për të.
“Partia Demokratike po kërkon për herë të dytë t’i bëjë dëm Shqipërisë. Ky sulmi i fundit politik ndaj ABI Bank nuk është i rastësishëm. Nuk ka të bëjë me bashkëshorten e Kryeministrit. Berisha e ka psikozë. Ishin financat ato që e hoqën nga pushteti në 1997. Të cënosh besimin e setit bankar është gjëja më e rëndë që mund t’i bësh ekonomisë. E bëri edhe në vitin 2013 në shtatorm që në ikje nga pushteti tentoi të ngjallte skenarin grek për shqiptarët. Partia Demokratike synon vetëm të ulë besimin e qytetarëve të sistemi bankar”
– tha deputeti Beqaj.
/a.rada