Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është hedhur në kundërsulm ndaj akuzave të opozitës, duke i cilësuar ato si përpjekje të njerëzve që iu janë prishur interesat personalë. Partia Demokratike akuzoi ministrin se i ka dhënë 28 tendera kompanisë së tij kompjuterike, por Beqaj sqaroi se ka hequr dorë nga ajo që në momentin kur mori detyrën. “Ndaj meje po hedhin baltë ata që iu janë shkelur interesat, që nuk e duan reformën në shëndetësi”, tha Beqaj në daljen para medias, duke premtuar se “reforma do të vazhdojë. Pjesë e baltosjes u bë edhe kompania, e themeluar më 2013. Ditën që u betova, hoqa dorë nga aksionet. Ia shita bashkëthemeluesit dhe nuk kam më asnjë lidhje”.