Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte i pranishëm në Kongresin e dytë Ndërkombëtar Mjekësor ku ai mbajti një fjalim në lidhje objektivat dhe arritjet e shëndetësisë. Ai tha se ministria i ka kushtuar më tepër vëmendje në këto vite luftës kundër kancerit. Po ashtu Beqaj theksoi se në 3 vite, janë shtuar plot 25 barna në listën e rimbursimeve.
Deklarata e ministrit Beqaj:
Së pari, një falënderim për këmbënguljen e organizatorëve për ta kthyer këtë aktivitet në një traditë të përvitshme, për ti dhënë një peshë të rëndësishme kombëtare dhe për të patur një prezencë shumë të mirë personalitetesh botërore.
Kënaqësi, aq më shumë të takoj profesorë të nderuar, të cilët i kam njohur në këto vite në detyrën time si ministër i Shëndetësisë, që janë me origjinë shqiptare, që fillimisht, erdhën mbas shumë shumë vitesh në Shqipëri, në nëntor 2013, në përgjigje të fetsës që kryeministri Edi Rama bëri atëherë, “Thuaji Po Shqipërisë”.
Gjithashtu, kënaqësi që këtu është sot edhe Evis Sala, një njohje e hershme prej më shumë se 30 vitesh, dhe jam shumë i kënaqur që ajo, dhe shumë mjekë të tjerë, vazhdojnë të bëjnë shumë sukses.
Vitin e kaluar, Klod (Dr. Klodian Allajbeu, Drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan), kam qenë pak në merak në konferencën e parë, sepse atëherë me një lloj xhelozie, vura re që salla e konferencës tënde mbushej plot e përplot, ndërsa ato kur i thërriste Ministria nuk mbusheshin plot. Në fakt, në vend që ne duhet të përmirësohemi, konstatoj që në këtë mëngjes, fillimisht, mesa duket, edhe ju qenkeni përkeqësuar, por të paktën, do të kërkoja të jeni rigoroz që kur të jepni në fund të ditës kreditet, të mos i masni vetëm me atë që erdhën në kohën e drekës, po filloni ti masni me ata që ishin që në mëngjes.
Sepse, të gjithë besojmë që edukimi në vazhdim është një çështje shumë e rëndësishme, por duhet ta bëjmë seriozisht. Që ta bëjmë seriozisht, duhet që gjithësecili, brenda mundësive të veta, të mund të angazhohet qoftë për të mësuar, apo qoftë edhe për të nxënë.
Tema është e rëdësishme për sa kohë këto lloj sëmundjesh, përherë e më tepër, po e rrisin barrën e sëmundshmërisë, dhe praktikisht, edhe Shqipëria, në këtë pjesë i është bashkuar vendeve në zhvillim, ku përgjithësisht, sëmundjet jo-të-transmetueshme kanë barrë përherë e më të madhe.
Ne jetojmë më gjatë, dhe për pasojë, mesa duket, këto gjëra janë të pashmangshme. Megjithatë, aq më shumë, pas praktikisht 3 vjetësh në detyrën e ministrit, përherë e më tepër, unë mendoj se edhe pse këto gjëra që bëjmë janë shumë të rëndësishme, përsëri bëjmë shumë pak për promocionin dhe parandalimin.
Vërtetë, për nga detyra që kam, të gjithëve u duhet të më prezantojnë si ministër i Shëndetësisë, kur më pyesin këtë them, por realisht, unë nuk jam ministri i Shëndetësisë, unë jam ministri i Sëmundjeve. Gjithçka që më kërkojnë është, o një bar që mungon, o një kit apo reagent që nuk është prezent, apo një pajisje që është e prishur. Pak kush, interesohet që kur jemi të shëndetshëm.
Doktoresha (Dr. Lida Shosha) solli një histori familjare, por unë besoj, se në mos qoftë brenda familjes, në rrethin tonë të afërt familjar, edhe në Shqipërinë e sotme, çdo familje e ka një histori fataliteti të lidhur me kancerin.
Dhe nëse nuk e kthejmë vëmendjen te qytetari pa u bërë pacient, te shëndeti pa u bërë sëmundje, besoj se vetëm do të gjurmojmë pas sëmundjen, po nuk do të mund ta fitojmë këtë betejë.
Në këto tre vjet, ne jemi përpjekur që në të gjitha kolonat e sistemit shëndetësor, – që lidhen edhe specifikisht me sëmundjet tumorale, – të bëjmë përpjekje. Volumi tregon përmirësim. Ende është shpejtë për të treguar rezultate në indikatorët e shëndetit.
Por, a e kemi shkurtuar invaliditetin, a kemi zgjatur jetë?
Të paktën, pjesën e vazhdimit të jetës në rastet e diagnostikimit, të gjithë ju ndesheni përditë me këto sëmundje, unë vetëm i shikoj si statistika, apo raste të veçanta kur kërkojnë një trajtim më shumë se sa ajo që ofrohet në Shqipëri në (sektorin) publik, apo jopublik, vazhdojmë ta zbulojnë në stad të avancuar.
Por unë besoj se, edhe promovim, edhe parandalim, edhe diagnostikim, edhe mjekim, edhe paliativ, se ndoshta këtu shumë vend për rehabilitim nuk ka, kemi bërë përpjekje.
Sigurisht, të fokusuar më shumë pas sëmundjes, të paktën bëjmë më shumë diagnostikim, qoftë laboratorik, qoftë radiologjik.
Për fat të mirë, edhe institucionet tona publike, sot ofrojnë radioterapi moderne me Akselerator Linear. Që nga momenti që punoj në neurologji janë trajnuar (me Akselerator Linear) 90 pacientë, ndërsa në onkologji 165 (pacientë) dhe punojnë që nga muaji qershor me ritëm goxha të lartë.
Në kimioterapi, kemi furnizuar më mirë spitalin po kemi spostuar një pjesë të mirë të barnave që mund të merren në mënyrë ambulatore në listën e rimbursimit. Janë shtuar në tre vjet, mbi 25 barna, principe aktive, përveçse barna, në listën e rimbursimit.
Gjithashtu, besoj se, i nisur jo për këtë qëllim, por për të përmirësuar në mënyrë radikale kirurgjinë tonë, edhe projekti i zgjerimit të Instrumentarit Kirurgjikal në Shqipëri në gamë të gjerë, do të ndihmojë që të bëhen ndërhyrje më të mira, më të sakta edhe më të shënjestruara.
Unë besoj se duhet, të gjithë bashkërisht, – dhe kjo është ftesë që i bëj të gjithë spitaleve në Shqipëri përtej QSUT-së, – që duhet të shfrytëzojnë shumë më mirë edhe hapësirat që na jep Ligji i ri i Arsimit të Lartë me reformën e Arsimit të Lartë. Sepse, sado të bëjmë këto gjëra, sado qeveria të ofrojë shumë më tepër fonde, që duhet ti ofrojë në fakt, asgjë nuk bëhet pa mjekët, pa profesionistët e shëndetësisë.
Dhe sot, ne edhe në Shqipëri i kemi me mungesë, ndërkohë që në një botë të hapur, praktikisht, secili nga mjeket dhe mjekët e rinj janë të lirë ta zhvillojnë karrierën e tyre në Shqipëri, por dhe jashtë Shqipërie.
Jemi rikthyer në mëyrë normale në specializimet në Arsimin e Lartë, por në fund të fundit, hapësira që mund ta observojë aktualisht qendra jonë Spitalore Universitare i ka aftësitë e kufizuara. Ndërsa, mungesat janë ende shumë të mëdha.
Kështu që unë besoj se, në këtë aspekt, edhe pse është një çështje që është përgjegjësi e Arsimit, do të keni mbështetjen time që ne ta zgjerojmë ofertën e Arsimit të Lartë Mjekësor në Shqipëri, sidomos kur vjen puna për specializimet.
Nuk dua të zgjatem më shumë, edhe një herë përgëzime për insistimin për të patur një aktivitet Ndërkombëtar Vjetor.
Suksese dhe punë të mbarë!