Një numër më i lartë pacientësh me probleme kardiake kanë arritur të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në zemër, dhe kjo, falë paketave të ofruara nëpërmjet financimit publik si në spitalet publike ashtu edhe në ato private. Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i pranishëm në Kongresin Ndërkombëtar Shkencor: “ICT in Cardiology” , të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë dhe Shoqata Europiane e Kardiologjisë, ka pohuar se që nga fillimi i vitit 2015 kohë kur nisi edhe zbatimi i këtyre paketave rezulton se numri i përfituesve ka arritur deri në 76%, nga 25% që ka qenë para implementimit të paketave shëndetësore.
“Ky vit pritet të mbyllet me një financim publik të rreth 76% të procedurave që do kryhen këtu. Sepse kemi, nga njëra anë, një rritje të numrit total të procedurave me rreth 50%, pavarësisht se kush i ka kryer. Të kryera në spitalet tona publike ku ju keni rritje të madhe të volumit, sepse volumi publik është rritur gati 2.5 herë, sepse në QSUT, praktikisht pasnesër, bëhet një vit që ne funksionojmë me urgjencën kardiake 24/7. Që vjet, kemi një njësi (hemodinamike) në spitalin “Shefqet Ndroqi”, dhe që nga fundi i muajit gusht kemi dhe një njësi (hemodinamike) në Shkodër”, ka theksuar kreu i shëndetësisë.
Sipas tij, rritja ndjeshëm e ndërhyrjeve kirurgjikale por edhe lehtësirave që u krijojet kësaj kategorie pacientësh është edhe një premtim i mbajtur nga Qeveria Shqiptare e cila në programin e saj kushte vendosur në fokus të vëmendjes të sëmurët me probleme kardiake. “Duke qenë se po hyjnë në vitin e fundit të këtij mandati qeverisës, përpiqem të bëj një lloj bilanci se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me sëmundjet kardiovaskulare, por me një pjesë më të veçantë, që është kardiologjia intervencioniste. Praktikisht, në katër vjet, nga 2012-ta në 2016-ën, volumi i këtyre ndërhyrjeve të realizuara në Shqipëri, në sistemin shëndetësor publik dhe jopublik ka njohur një rritje goxha të madhe. Kjo, në radhë të parë, është meritë e juaja, e komunitetit të profesionistëve”, pohoi ministri Beqaj.
Një moment tjetër i rëndësishëm ku u ndal kreu i shëndetësisë, ishte edhe Aksesi Universal që kanë sot qytearët shiptarë, të cilët mund të konsultojnë elektronikisht të dhënat mjekësore, sidomos rezultatet e check-up, apo kontrollit shëndetësor bazë, në portalin: e-albania.al. “Ky është portal i shërbimeve qeveritare “e-Albania”. Në atë portal, sot qytetarët shqiptarë u ofrohen shumë shërbime. Këtu, praktikisht çdo qytetar që ulet para kompjuterit të tij, apo ndihmohet nga një familjar, mund të konsultojë, të paktën për momentin, përgjigjet individuale të check-up-it. Dhe mund ti ndajë me këdo profesionist shëndetësie, që në një viztë, në një komunikim, mund t’ia kërkoj këtë gjë, -pohoi Ministri i Shëndetësisë ndërsa deklaroi se- kemi filluar një konsultim paraprak edhe me institucionet shëndetësore jopublike në mënyrë që dhe ato të mund të ngarkojnë atë pjesë që është mjekësore në dosjen elektronike”.
Hedhja e të dhënave shëndetësore në rrugë elektronike ndihmon të gjithe ekipet mjekësore për përcaktimin e diagnozave ta sakta dnë një kohë më të shpejtë. “Dhe këtu besoj, duhet edhe më shumë të shfrytëzojnë ITC-në. Ne kemi sot, besoj unë, kabinete kardiologjie të paktën të pajisura jo keq në spitalet tona rajonale dhe nëse arrijmë të shfrytëzojmë edhe mundësitë e ICT-së mundet qëtë kapim ato orët e domosdoshme që ju i keni si standarte për të kryer një shërbim që edhe shpëtoj jetë por edhe shmang invaliditet. Përfitim të cilin ka në radhë të parë qytetari, familja e tij por edhe e gjithë shoqëria” nënvizoi ministri Beqaj.
Në fjalën e tij Ministri i Shëndetësisë nuk harroi të përmendë edhe nevojën e edukimit në vazhdim të stafeve mjekësore si dhe forcimin e burimeve njerezore në institucinet tona shëndetësore.
Fjala e plotë e Ministrit Beqaj në Kongres:
Mirëdita!
Faleminderit për ftesën dhe përgëzime për organizimin e kësaj konference!
Sigurisht, që unë vij sot këtu, edhe me një dëshirë më të madhe se në aktivitetet e tjera të ngjashme, për fakti,n se këtu flitet edhe për diçka për të cilën unë kam të paktën formimin tim universitar. Dhe kjo bën që njëherësh të përpiqem të prek dy momente që janë të rëndësishme.
Sepse, nga njëra anë, këtu flitet për sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë të theksuara në mënyrë të veçantë në Programin e Qeverisë, për vetë faktin që kanë barrën më të lartë të sëmundshmërisë, shkaktojnë më shumë fatalitet, më shumë invaliditet. Pra, rrezikojnë një jetë më të gjatë, dhe rrezikojnë një jetë më të shëndetshme.
Së dyti, shëndetësia elektronike është një nga pesë kolonat kryesore të asaj çfarë duam të zbatojmë, me qëllim arritjen e Mbulimit Universal. Por, praktikisht, Mbulimi Universal në vlerësimin tonë, – dhe këtë ma kanë konfirmuar dhe eksperienca tashmë me më shumë se tre vite, – mbetet një angazhim thjesht politik, nëse nuk shoqërohet të paktën dhe me dy element të tjerë shumë të rëndësishëm: Me Akses Universal dhe me Cilësi Universale.
Dhe unë besoj, se këtu ndaj të njëjtin mendim me ju, që gjithmonë e më tepër e shfrytëzoni ICT-në, që ICT-ja rrëzon barrierat edhe gjeografike, edhe financiare, edhe kulturore.
Edhe konferenca që bëmë para një muaji, e cila përkoi me Ditën Botërore të Zemrës, në fakt, – duke qenë se po hyjnë në vitin e fundit të këtij mandati qeverisës, – përpiqem të bëj një lloj bilanci se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me sëmundjet kardiovaskulare, por me një pjesë më të veçantë që është kardiologjia intervencioniste.
Praktikisht, në katër vjet, nga 2012-ta në 2016-ën, volumi i këtyre ndëryrjeve të realizuara në Shqipëri, në sistemin shëndetësor publik dhe jopublik ka njohur një rritje goxha të madhe. Kjo në radhë të parë është meritë e juaja, e komunitetit të profesionistëve.
Sigurisht, që këtu kanë ndihmuar investimet qoftë publike, qoftë ato jopublike, por unë besoj se duke filluar nga 2014-ta, theksi më i veçantë që ne filluam ti materializojmë angazhimet e programit, ka treguar që kemi një rritje shumë të madhe të volumeve që realizohen me financim të parasë publike. Dhe siç e shikoni, ka pasur një rënie të procedurave që realizohen dhe paguhen drejtëpërdrejtë nga xhepat e qytetarëve.
Sigurisht, nga një herë përqindjet edhe mund të fshehin numra, mund të shkosh nga 5 në 7, ke rritur 40% po 5-sa me 7-ën, s’domethënë asgjë! Por, edhe numrat vetë tregojnë për një rritje shumë të ndjeshme nëse do të shohim në një horizont 4-vjeçar.
—
Ky vit pritet të mbyllet me një financim publik të rreth 76% të procedurave që do kryhen këtu. Sepse, kemi nga njëra anë, një rritje të numrit total të procedurave me rreth 50%, pavarësisht se kush i ka kryer. Të kryera në spitalet tona publike, ku ju keni rritje të madhe të volumit sepse volumi publik është rritur gati 2.5 herë, sepse në QSUT, praktikisht pasnesër, bëhet një vit që ne funksionojmë me urgjencën kardiake 24/7.
Që vjet, kemi një njësi (hemodinamike) në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe që nga fundi i muajit gusht kemi dhe një njësi (hemodinamike) në Shkodër.
Kam përshtypjen që, nëse do të bëjmë dhe ca përpjekje më shumë duke shfrytëzuar Shkodrën maksimalisht, vitin e ardhshëm do të arrijmë tek 80 përqindshi, dhe ndoshta këtu, nuk mund të kërkojmë më rritje me hop.
Sepse unë besoj se gjithmonë do të ketë një grup njerëzish, siç ka çdo lloj shoqërie, që do ta zgjidhin pa pritur listën e pritjes, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, apo edhe me sigurimet shëndetësore private, në një mënyrë që nuk lidhet me këtë funksionin tonë.
Por, ajo që dua të ilustroj tani është një gjë e re, e vogël, ndoshta pak e njohur sesi mund të shfrytëzohet sot ajo çfarë kemi bërë në kardiologji.
Ky është portal i shërbimeve qeveritare “e-Albania”. Në atë portal, sot qytetarët shqiptarë u ofrohen shumë shërbime. Këtu, praktikisht çdo qytetar që ulet para kompjuterit të tij, apo të ndihmohet nga një familjar, mund të konsultojë të paktën për momentin përgjigjet individuale të “check-up”-it. Dhe mund ti ndajë me këdo profesionist shëndetësie, që në një viztë, në një komunikim mund t’ia kërkoj këtë gjë.
Unë po futem në llogarinë time (ministri demonstron përdorimin e portalit online). Kjo është gjë e thjeshtë, secili këtu ka numrin e tij të identitetit, sigurisht, siç do gjë ka një fjalëkalim.
Kjo është lista e gjithë shërbimeve që ka, kjo ka shërbime pa fund. Siç e shikoni, atje është identifikuar përdoruesi. Sot ka me mijëra qytetarë që e shfrytëzojnë që nga muaji mars, ne e ofrojmë këtë mundësi edhe për këdo që do të marrë Kartën e Shëndetit.
Kjo është pjesa e kontrollit shëndetësor bazë, është data 13 shkurt, kur unë kam bërë këtë vit kontrollin. Për shembull, po të dalim, – sa për ilustrim meqenëse flasim për sëmundjet e zemrës: Kjo është EKG-ja ime. Domethënë, edhe nga telefoni celular, unë mund të futem dhe ti tregoj një mjeku se kush ka qenë EKG-ja ime në datën 13 shkurt. Dhe, sigurisht, ato 42 analiza që bëhen në “check-up”, duke filluar nga muaji i ardhshëm, kemi përfshirë edhe dy që lidhen me sëmundjet e veshkave, matjet e uresë dhe kreatiniemisë, do të jenë dhe këto.
Pra, sigurisht paralel, ne po ecim edhe me platformën e Shëndetësisë Elektronike, ku praktikisht do të ngarkohen aty aktet mjekësore të çdo qytetari, dhe që pastaj, mjekët e ndryshëm do të mund ti konsultojnë.
Ne kemi filluar një konsultim paraprak edhe me institucionet shëndetësore jopublike në mënyrë që dhe ato të mund të ngarkojnë atë pjesë që është mjekësore në dosjen elektronike.
Unë besoj se thelbi këtu do të jetë shfrytëzimi i ICT-së në urgjencë, për këmbim imazhesh, por unë besoj se sot, mund dhe duhet ta shfrytëzojmë ICT-në, në pjesën dërrmuese të kolonave që ka kujdesi shëndetësor. Edhe në promocion shumë më tepër, edhe në parandalim, padyshim diagnostikë, në urgjencë, por edhe në këtë pjesën e parë, që është shumë e domosdoshme, sepse praktikisht, me gjithë rritjet e mëdha që kanë ndodhur në volume tek ne, unë besoj se duhet të ketë akoma kërkesë për këto gjëra që nuk arrijnë të identifikohet apo nuk arrijnë misionet shëndetësore në një kohë të caktuar.
Ne vërtetë kemi filluar, që nga 1 nëntori vjet, urgjencën kardiake 24/7, 3-4 muajt e fundit aty janë 70-75 raste, po që do të thotë janë rreth dy raste e gjysëm në ditë mesatarisht. Ndërkohë, që një popullsi 2.9 milionë banorë rezidentë këtu, me një demografi të caktuar, me një epidemologji të caktuar, -ju e dini më mirë sesa unë se në Shqipëri,- mesatarisht duhet të ketë më shumë raste, por edhe për faktin se ka ditë në QSUT që bëhen edhe 5, edhe 7, mos gaboj natën e Vitit të Ri janë kryer 6-7 raste, vetëm natën e ndërrimit të viteve. Dhe këtu besoj duhet edhe më shumë të shfrytëzojnë ITC-në.
Ne kemi sot, – besoj unë, – kabinete kardiologjie, të paktën të pajisura jo keq në spitalet tona rajonale dhe nëse arrijmë të shfrytëzojmë edhe mundësitë e ICT-së mundet që të kapim ato orët e domosdoshme që ju i keni si standarte për të kryer një shërbim, që edhe shpëton jetë, por edhe shmang invaliditete. Përfitim, të cilin ka në radhë të parë qytetari, familja e tij por edhe e gjithë shoqëria.
Dhe, sigurisht që për ta mbyllur, -ndjesë nëse u zgjata pak,- këto aktivitete vetëm se duhen përshëndetur, sepse praktikisht, edukimi në vazhdim mbetet një sfidë e përhershme, dhe midis shumë nevojave që kemi, unë e pranoj që ende ne nuk alokojmë siç duhet në buxhetet tona një pjesë të dedikuar edhe për forcimin e burimeve njerëzore.
Faleminderit dhe suksese!