Medhi Benatia nuk është më pjesë e Juventusit. Mbrojtësi maroken u largua nga “Zonja e vjetër” pas dy sezone e gjysmë të luajtura me të, për të vijuar karrierën e tij në Katar, pikërisht te skuadra e Al Duhail.
Kampionët e Italisë zyrtarizuan largimin përfundimtar të futbollistit në drejtim të Al Duhail, për shumën e 8 milionë eurove, të cilën klubi nga Katari do ta paguajë në dy këste brenda tetorit të vitit 2019.
Medhi Benatia ka zhvilluar 40 ndeshje në Serie A me Juventusin, duke shënuar 3 gola, i fundit prej të cilëve ishte ai ndaj Romës në dhjetor të vitit 2017.
Në Champions League, marokeni ka zhvilluar 14 ndeshje me fanellën bardhezi. Po kështu, ai ka luajtur një ndeshje të Superkupës së Italisë dhe 4 në Kupën e Italisë.
Me Juventusin, ai ka mundur të fitojë dy tituj kampionë të Serie A dhe po kaq Kupa të Italisë. Në finalen e këtij kompeticioni për vitin 2018, që Juventusi e fitoi 4-0, Benatia shënoi 2 gola ndaj Milanit.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në të gjitha platformat e tij, Juventusi falënderoi Benatianë dhe i uroi suksese për të ardhmen.
a.cupaj