Për kryeministrin Edi Rama, Himara është një komunitet që kërkon qetësi, paqe, zhvillim dhe është tërësisht i painteresuar të hyjë në një konflikt. Ai tha për “Real Story” se zgjedhja e kryetares së bashkisë në detyrë, është një arsye e madhe për të kuptuar që Himara meriton të ketë të gjithë qetësinë e nevojshme.
Sa i përket kandidimit të Vangjel Tavos për bashkinë e Himarës, Rama deklaroi se e ka zgjedhur prefekt të Vlorës si një njeri që mund të ndihmojë nga afër edhe për të adresuar ato problematika, institucionale që lidhen edhe me bashkinë e Himarës, prandaj nuk e sheh në ndonjë pozicion tjetër.
Sakaq, Rama theksoi se për zgjedhjet në Himarë, duhet pritur vendimi i Gjykatës së Apelit dhe nëse do të ketë zgjedhje, Partia Socialiste do të ketë kandidatin e vet.
Pjesë nga intervista në “Real Story”:
Pra, le të themi nëse nesër bëhen zgjedhjet në Himarë, do vini një kandidaturë shumë më prestigjoze, dhe që Himara e meriton, shumë më shumë se sa meritonte Goron. Mund të jetë Vangjel Tavo një kandidaturë nesër për kryetar bashkie të Himarës?
Rama: Nuk dua të bëj komente për ish kryebashkiakun e Himarës, sepse dihet tanimë që ai është në një proces. Por dua të them që faktikisht zgjedhja e kryetares së Bashkisë në detyrë me një shumicë dërrmuese në Këshill Bashkiak, flet për një realitet të ndryshëm nga realiteti i perceptuar gabimisht nga miqtë tanë sepse aty ka një komunitet që kërkon qetësi, kërkon paqe, kërkon zhvillim dhe është tërësisht i painteresuar të hyjë në një konflikt dhe të bëhet palë në një konflikt sepse zgjedhjet janë një ditë, por jeta e atyre që jetojnë në Himarë është çdo ditë. Dhe konfliktet mund të hapen për një ditë, por mund të mos mbyllen gjithë jetën dhe pasojat nuk janë të atyre që i hapin dhe i ushqejnë, pasojat janë të atyre që jetojnë në pamundësi për të ikur nga hija e konfliktit. Dhe ajo zgjedhje aq maxhoritare tregon që e vërteta është që zgjedhjet e Himarës ato që u bënë rezultati ishte tejet i ngushtë 19 vota, ishte një rezultat i ndikuar jashtëzakonisht shumë nga ata që erdhën për të votuar atë ditë dhe që ikin prap në të drejtën e tyre, absolutisht, por nuk ishte një arsye për të hyrë në këtë lloj konflikti. Zgjedhja e kryetares së bashkisë në detyrë, është një arsye e madhe për të kuptuar që Himara meriton të ketë të gjithë qetësinë e nevojshme dhe të zhvillohet pa asnjë lloj konflikti dhe për më tepër Himara nuk meriton në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye që të bëhet pre e zjarreve që nxit, e zjarreve që ushqen duke hedhur benzinë një politikan që e udhëhiqte minoritetin dhe që sot është në parlament, jo më falë votave të marra si udhëheqës i minoritetit por falë strehimit politik në një parti ku lideri i partisë është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Ju po flisni për Vangjel Dulen, ndërkohë ju pyeta për një tjetër Vangjel, për Vangjel Tavon
Rama: Vangjel Tavo është një individ i mirënjohur, politikan prej shumë vitesh. Me Vangjel Tavon unë kam patur një marrëdhënie shumë të mirë kur ishte në PS, pastaj nuk kemi patur asnjë marrëdhënie kur ai shkoi në një parti tjetër majtas. Vangjel Tavo ka edhe një eksperiencë në qeveri djathtas. Pra, Vangjel Tavon unë nuk e kam zgjedhur aty si një njeri që vjen nga një rrugëtim besnikërie apo qëndrimi të vazhdueshëm pranë meje ose në PS. Por e kam zgjedhur aty si një njeri që mendoj që ka një profil që duke ushtruar detyrën e prefektit të Vlorës patjetër që mund të ndihmojë nga afër edhe për të adresuar ato problematika, institucionale që lidhen edhe me bashkinë e Himarës edhe me bashki të tjera patjetër. Kështu që, nuk është se kam menduar diçka tjetër nga ajo që duket dhe është shumë e qartë. Sa i përket zgjedhjeve, zgjedhjet do të shpallen kur duhet të shpallen nga Presidenti i Republikës, në rast se gjykata e Apelit do të vendosë që zotëria që është bërë shkak për gjithë këtë furtunë të madhe në gotë është i fajshëm apo i pafajshëm, dhe nëse është i pafajshëm ai do shkojë në detyrë, në rast se është i fajshëm patjetër që do ketë zgjedhje. Në zgjedhjet e ardhshme PS do të ketë kandidatin e vet, nuk diskutohet./m.j