Nga Skënder Minxhozi/
Atëhere kur askush s’e mendonte që Himara të kthehej në një mollë sherri elektorale, sipas një skeme të së shkuarës tashmë të largët, ky qytet i vogël bregdetar dhe pa asnjë peshë politike, ekonomike e sociale në vend, është kthyer sërish në epiqendrën e sherrit në Tiranë. Vendimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës për të kandiduar për bashkinë e Himarës një personazh kontrovers si Fredi Beleri, ka qenë shkëndija e një debati të nxehtë mes palëve që garojnë në zgjedhje.
Ditë pas dite sulmet e Ramës mbi kandidatin ektremist që ka lënë gjurmë të shëmtuara për ndasitë etnike që predikon prej vitesh, kanë ardhur në rritje. Po kaq ditë ka zgjatur edhe mbrojtja me heshtje që i ka bërë Berisha këtij personazhi thellësisht negativ. Ndërkohë që Meta, i cili s’e ka problem asnjëherë të luajë bllofin deri në absurd, injoron ato që Beleri thotë në shqip dhe greqisht dhe akuzon Ramën se dashka pronat e Himarës!
Arrestimi në mesnatë i Fredi Belerit në batutat e fundit të fushatës elektorale është ndërkaq një zhvillim me shumë variante leximi. Në një vend ku votat blihen prej kohësh që s’mbahen mend, Beleri dhe shefat e tij që heshtën në Tiranë pas arrestimit, kanë alibinë se kandidati po dënohet për diçka që e bëjnë të gjithë në kohë zgjedhjesh. Qytetarë të Himarës kanë dalë në këto orë në media duke njoftuar se kanë marë oferta në para nga kandidati opozitar, për të shitur votën e tyre.
Është mirë që organet hetimore të kopsisin mirë dosjen e Belerit, ose ta lenë atë të lirë duke marrë përsipër peshën e fiaskos publike. Duke krijuar në këtë rast edhe riskun që të kenë prodhuar me duart e tyre një “viktimë” në sytë e votuesit, i cili mund të marrë edhe më shumë vota të dielën direkt nga kjo rrethanë.
Megjithatë, pavarësisht sesi shkojnë hetimet për Fredi Belerin, një gjë është e qartë si drita e diellit në këtë muaj fushate elektorale, ku emri i tij u lakua nga mëngjesi në darkë: Fredi Beleri nuk duhej të ishte në qelitë e Vlorës sot. Ai duhej të ishte jashtë fushatës elektorale të 14 majit. Jo me “dorën e dhunshme të regjimit” Rama, por si një gjest përgjegjshmërie nga koalicioni që e propozoi. Dy politikanë të vjetër që kanë drejtuar shtetin e qeverinë në 30 vite si Berisha e Meta, duhen të turpërohen që kanë një kandidat me rekordet e Fredi Belerit në garën zgjedhore. Duhen të turpërohen edhe që e kanë mbrojtur me heshtje apo edhe me rrena e mbyllje sysh në media këto orë.
Fredi Beleri e ka konsumuar tashmë tentativën publike për blerje votash dhe nuk është fjala për hetimin që çoi në arrestimin e tij natën. Fjala është për ofertën thellësisht provokuese dhe përçarëse që ai përfaqëson në panoramën e trazuar elektorale të Himarës. Një breg i bukur turistik që ka qenë më shumë se një herë mollë sherri edhe për shkak të ndasive dhe provokacioneve që Beleri e të tjerë si ai kanë nxitur. Të thuash se duhet shpejtuar helenizimi i Himarës është ku e ku më e rëndë sesa të blesh votën e një qytetari anonim natën me ca lekë nën dorë. Kjo është ofertë blerjeje, e çfarë oferte, jo qindarkat që ju premtohen të vobektëve për një votë.
Edi Rama e ka shkelur fort pedalin e sulmeve mbi kandidatin e Himarës këto ditë dhe natyrshëm e ka tepruar me gjuhën dhe sasinë e vëmendjes që i ka kushtuar Fredi Belerit. Por faji fillestar, shkaku i këtij konfrontimi absurd që siç shihet ka trazuar edhe marrëdhëniet shqiptaro-greke, është papërgjegjshmëria politike e dyshes Berisha-Meta që e futën në garë këtë ekstremist të vjetër. Imagjinoni për një moment sikur ky zotëria të ishte kandidaturë e Rilindjes, e jo e “Bashkë Fitojmë”! Kjo pyetje në fakt s’ka fare nevojë për përgjigje sepse dihet mirë se ç’do të bënin ata që sot heshtin…
Më në fund një mendje racionale, inteligjente dhe me një analizë të hollësishme të gjendjes aktuale politike në Shqipëri dhe veçanërisht në Himarë…Jam plotësisht dakort me Ju, i miri Minxhozi.. Faleminderit vërtet ✨✨