Nga Jakin Marena
Nëse ka një gjë që i bashkon në një të vetëm tre emrat e përmendur që në titull, Fredi Belerin, Sali Berishën dhe Ilir Metën, është qasja e njëjtë që kanë, në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri, procesin e integrimit dhe ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në këtë vend!
Nuk duam të arrijnë në konkluzione të parehatshme për ta apo për shqiptarët, në akuza që rëndojnë cilindo prej këtyre të treve, por ama s’ mund të heshtim në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të tyre, për të nxirë në një mënyrë apo tjetër dhe intensivisht Shqipërinë, jo vetëm në sytë e shqiptarëve kudo që janë, por dhe të ndërkombëtarëve!
Akuzat ndaj qeverisjes së vendit nuk kanë të bëjnë me keqqeverisjen, por në përpjekjet për të paraqitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që po na mbështesin në rrugën e vështirë të anëtarësimit në BE, si një narko-shtet, të kapur nga mafia vendase dhe ndërkombëtare dhe si një vend që përbën rrezik potencial për BE dhe për vetë SHBA! Dhe kjo është ligësi!
Madje Berisha, Beleri por dhe Meta që nga qelia e paraburgimit në burgun 3013, kanë artikuluar akuza të tilla, deri në thirrje ndaj Brukselit për të vendosur kushte të rënda për integrimin në Union, me argumentin se me këtë qeverisje të drejtuar nga Rama, vendi ynë nuk është gati për të bërë hapin e madh, mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030! Pavarësisht se SHBA dhe BE i kanë injoruar këto akuza, pasi Trump ftoi në SHBA Ramën në kuadër të pjesëmarrjes në aktin themelues të Bordit të Paqes ndërsa Brukseli ka mbështetur fort Shqipërinë për integrimin, duke vlerësuar progresin që ka bërë, në të gjitha fushat, nxirja e vendit, etiketimet e paqëna përtej luftës politike normale, nuk ndalet nga këta njerëz!
Nënvizojmë se, pavarësisht se në rrethana të tjera, Berisha e Meta duhej të ishin kundër Belerit, këtij eurodeputeti grek që ka hyrë në politikë përmes masakrës së Peshkëpisë ku u vranë nga komandot greke ushtarakët shqiptarë të kësaj pike kufitare si dhe ‘specializimit’ si hidraulik, me kategori të lartë thonë, apo misionit të tij të pamundur për helenizimin e jugut të Shqipërisë, dyshja drejtuese e opozitës shqiptare u bë bashkë dhe e propozoi Belerin si kandidat për kryetar bashkie në Himarë, në emër të koalicionit opozitar!
Rrethanat e sollën që për shkak të akuzës për blerje votash të përfundonte në burg dhe të mos e merrte mandatin e kreut të bashkisë në Himarë, gjasat janë që të mos e marrë kurrë më, Beleri arriti që dhe falë mbështetjes që i dhanë Berisha e Meta duke akuzuar qeverinë shqiptare se po përndjek minoritetin grek apo se po përpiqet që të godasë minoritetin grek për çështje pronash, pra Beleri, teksa u shfaq si viktimë e ‘regjimit të Ramës’, u propozua dhe u zgjodh deputet në Parlamentin Evropian, nga partia e Mitsotakis, për të përfaqësuar shtetin grek në Bruksel! S’ka asgjë të keqe në fakt, kishte nevojë dhe PE për Belerin, me sa duket, nga radhët e zanateve!
Dhe që nga ajo kohë, ‘trioja’ nuk ka pushuar së foluri kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, për t’i paraqitur ata si ‘gogol’ në sytë e ndërkombëtarëve, dhe për më tepër vendin tonë si jo gati për të kaluar nëpër ‘stacionet’ e shpejta të integrimit për në BE, me fazë finale të pranuar dhe nga vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, anëtarësimin në vitin 2030!
Ndërsa Beleri ka kohë që ka prezantuar linjën e tij politike kundër Shqipërisë, si progonatas që është dhe me të kaluar bejlerësh, ka nisur që të ndryshojë dhe theksin e shqipes duke i dhënë theks grek, linjë që përbën kolonën e përpjekjes së tij për helenizimin e Jugut të Shqipërisë dhe ringjalljes së të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, Berisha e Meta po sillen ndjeshëm si ‘ndihmës’ apo zëvendës të këtij “hidrauliku’ të certifikuar, që përfaqëson Greqinë në Parlamentin Evropian!
E themi këtë sepse në zgjedhjet e 11 majit, Berisha dhe partia e Metës bënë fushatë duke pasur Belerin në podiumin e nderit, si të dërguar të shtetit grek por dhe duke e paraqitur si të dërguar të Parlamentit Evropian. Ndërsa takimet e Berishës në Athinë u organizuan nën kujdesin e Belerit! Dhe kjo sërish nuk ka asgjë të keqe, jemi fqinjë dhe përderisa respektohen rregullat e fushatës zgjedhore, pa asnjë ndërhyrje nga zyrtarët e vendit fqinj, gjithçka është normale!
Tashmë së fundmi, me sa duket e ka ndjerë ‘erën e mirë’ nga Brukseli, që Shqipëria mund të anëtarësohet deri më 2030 në BE, kjo treshe ka nisur të ‘shkundë’ dosjet e vjetra, për të ngritur akuza të reja ndaj qeverisë Rama por dhe për të hequr barrën e fajit që kanë pasur vetë gjatë qeverisjeve të tyre, ndërkohë që janë nën hetim për shkak të zullumeve që kanë ndër vite në pushtet.
Që në krye të herës ishte dëshira e ish presidentit Ilir Meta, i cili që nga qelia e burgut kërkoi që të pyetej për ngjarjen e 21 janarit 2011, ditë në të cilën Garda e Republikës, me urdhër nga lart, brenda godinës së kryeministrisë ishin kreu i qeverisë së asaj kohe Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha, qëlloi me plumba prej vërteti mbi turmën e protestuesve të opozitës që po shpërndahej, duke vrarë katër prej tyre!
Tani, vërtetë që Meta ishte ‘strumbullari’ për protestat e opozitës së atëhershme, pasi për shkak të publikimit të videos nga ana e Dritan Priftit, tashmë të ndjerë, ku shihej ashiqare korrupsioni i ofruar nga zv.kryeministri i asaj kohe, opozita u ngrit në protestë. Por ama Meta ka qënë i dorëhequr dhe në proces hetimi, dhe nuk kishte asnjë mundësi që të dinte se çfarë bëhej brenda kryeministrisë më 21 janar! Aq më tepër që vetë Berisha që ishte në zyrë, bën sikur s’di asgjë!
Pavarësisht se SPAK nuk kishte se çfarë të kërkonte në dëshminë e Metës për të zbardhur sipas tij, të pathënat për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, deklaratat e mëpastajme të Metës zbuluan dhe atë çfarë deklaronte të arrinte, por që nuk kishte të bënte fare me ditën e tragjedisë, 21 janarin, por me shumë e shumë ditë përpara kësaj ngjarjeje, e formatuar në akuzën e përbashkët me Berishën se, Rama është fajtor për këtë ngjarje, pasi solli ai protestuesit para kryeministrisë!
Nëse do të veprohej sipas ‘kutit’ të Berishës e Metës me protestat e opozitës aktuale të opozitës, sidomos ato të vitit 2019 dhe të këtyre viteve të fundit, atëherë jo vetëm duhej të kishte shkuar, larg qoftë, ‘gjaku deri në gju’, por nën hetim si fajtorë duhej të kishin shkuar me kohë e vakt Berisha, Basha, Kryemadhi apo dhe të tjerë, pasi ata i kanë organizuar protestat! Për fatin e mirë, qeverisja e PS nuk është ajo e PD, kjo qeveri nuk të vret, prandaj ankohen protestuesit demokratë vetëm për ‘cilësinë e gazit lotsjellës’, të hedhur nga policia. Ndërsa më 21 janar 2011, Garda, mori urdhër të derdhte breshëri plumbash prej vërteti mbi kokat e demonstruese duke vrarë katër prej tyre dhe jo gaz lotjellës të skaduar si tani, ku e shumta të bën të fërkosh sytë nga djegia! ‘Kryengritësit heronj’ të Berishës hyjnë e dalin nga policia pa u hyrë gjemb në këmbë, ndërsa për 4 të vrarët e 21 janarit 2011, për gati 15 vite me radhë, nuk ka drejtësi!
Meta, me këtë përpjekje për të dëshmuar dhe për të larguar vëmendjen nga dita e vrasjes së 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar, me elementë të para kësaj date, tentoi të shfajësonte veten, duke u përpjekur të krijojë narrativën se i ngritën kurth me video-përgjimin e Priftit ku kërkonte ryshfet. Mbështetet tek ekspertiza shqiptare që e nxorën të manipuluar video-përgjimin përkundër ekspertizës së huaj, teksa vendimi i Gjykatës së Lartë për të mbështetur pretendimin e tij, solli dhe shpalljen të pafajshëm. Pra Meta tenton të shpërqëndrojë hetimin, pasi Strasburgu kërkon nga SPAK që të hetohen urdhërat e dhëna më 21 janar 2011 ndaj Gardës për të qëlluar dhe vrarë protestuesit që po shpërndaheshin! Nuk kërkon të hetohet çfarë u bë para 21 janarit!
Të njejtën gjë po bën Meta dhe tani së fundmi, teksa u bënë ndryshimet në qeveri dhe në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u dekretua Ferit Hoxha, ish ambasadori ynë në OKB dhe në BE! Është dekretuar dhe nga Meta ambasador dy herë, në kohën kur ishte President! Por ama, pas gati 18 vitesh, ish presidenti Ilir Meta ka dalë me një akuzë të re për ministrin tashmë dhe të betuar në Presidencë, Ferit Hoxhën! Akuzë e ‘gëlltitur’ brenda vetes nga Meta, përmbi 17 vite! Shumë është mbajtur për t’u bërë publike këto ditë!
Meta, që nga qelia ka hedhur akuza në drejtim të Ferit Hoxhës se paska qënë ai fajtori kryesor për marrëveshjen e “Detit’ me Greqinë, e cila për shkak se i falte territor Greqisë nga territori shqiptar, u rrëzua nga ana e Gjykatës Kushtetuese të asaj kohe si anti-Kushtetuese, me një rezultat 9 me 0! Një marrëveshje e nënshkruar kjo, nga ish ministrat e jashtëm Lulzim Basha dhe Dora Bakojanos, në prezencë të ish kryeministrave Sali Berisha dhe Kostas Karamanlis! Sipas Metës, referuar deklaratës së ish zëdhënësit të tij, Ferit Hoxha, si kryenegociator i Shqipërisë për këtë çështje i kishte dhënë informacione dhe kishte tentuar ta “shiste” firmosjen e marrëveshjes si të negociiuar nga Sali Berisha.
Tani, askush nuk e beson se Hoxha ia paska ‘futur’ Bashës e Berishës për një marrëveshje kaq të rëndësishme, si ajo e kufirit të “Detit”! Dihet si funksionojnë gjërat, aq më tepër për Berishën, i cili dinte të paktën në atë kohë dhe sa ‘miza’ fluturojnë nëpër Tiranë, apo nëpër ministritë që ai drejtonte me dorë të hekurt! Dihet se sa liri kishin ministrat për të vendosur pa urdhër të Berishës, jo më sekretarët e përgjithshëm të ministrive! Por ama, Meta që nga qelia tentoi t’i bënte ‘qokën’ e dytë Berishës, për t’ia hequr të pamundurën, përgjegjësinë që Berisha si kryeministër kishte për faljen e territorit shqiptar, Greqisë! Dhe nuk e bën badihava Meta këtë!
Për hir të së vërtetës, i gjendur nën akuza të rënda në qelitë e burgut 313, tashmë në momentin kur dosja është gati për të kaluar nën gjykim, Ilir Meta po dërgon mesazhe në drejtim të aleatit të tij Berisha, por dhe më tej tek aleatët e tij në Athinë, përmes Belerit, që të ndikojnë në zbutjen e akuzave! Duke parë se presionet e Berishës ndaj SPAK e Gjykatës së Posaçme kanë bërë punë, duke e lënë jashtë qelisë për akuzat e shumta që ka në kurriz dhe dosjet e rënda që ka nën hetim, Meta shpreson se një ‘kolpo’ presioni e Berishës ndaj drejtësisë së re dhe në favor të lehtësirave për të, do të bëjë punë, përballë akuzave me të cilat po përballet! Te Berisha kanë bërë punë!
Ndërsa mesazhi për politikën greke që ta marrë nën mbrojtje vjen dhe për shkak se Ilir Meta, në kohën kur ishte kryetar Kuvendi është dekoruar nga parlamenti grek me “Kryqin e Artë”. Një medalje që i është dhënë me motivacionin “për kontribut të shquar në shërbim të Greqisë dhe përhapjes së helenizmit në botë”. Eshtë medalje e rëndë dhe oblikuese kjo!
Në tetor 2016 në një takim në Athinë, kreu i Parlamentit grek Nikolaos Voutsis i akordoi Metës “Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë”. Kjo medalje i akordohet nga Parlamenti grek personaliteteve të rëndësishme në shenjë nderimi për kontributin e tyre të shquar dhe të jashtëzakonshëm në shërbim të shtetit helen. Ky është motivacioni i medaljes për kreun e asaj kohe të Parlamentit shqiptar. Ilir Meta është i dyti pas Vasil Shahinit që dekorohet nga shteti grek me “Kryqin e Artë”! Nuk ka asgjë të keqe në marrjen e kësaj dekorate nga ana e Metës, tregon vlerësim për numrin dy të shtetit shqiptar, por vetëm duam të dimë se cili është shërbimi i shquar që ka dhënë Meta në favor të vendit fqinj! Dhe për më tepër duhet të na i kursejë këto deklaratat me status patrioti shqiptar!
Pra, përmes Belerit, Meta, me sa duket dhe me statusin e kontributorit në shërbim të shtetit grek, po kërkon në Athinë por dhe në Bruksel, mbështetje në përballimin e akuzave të ngritura ndaj tij nga SPAK! Të paktën në lehtësimin e këtyre akuzave! Prandaj po futet në çështje të tilla si kërkesa për të dëshmuar me iniciativën e vet për 21 janarin 2011 si dhe për të shfajësuar Berishën për faljen e ‘Detit’ shtetit fqinj, pa pasur asnjë lidhje me këto çështje!
Halli ku nuk të çon, dhe Meta ka vërtetë hall! Megjithëse po kërkon ndihmë nga Berisha, që është vetë në hall të madh, si dhe nga Beleri, halli i të cilit është se është thjeshtë një hidraulik, rastësisht në Parlamentin Evropian! Më tepër për inat u fut në ‘valle’ nga Mitsotakis, dhe tashmë nuk del pa mbaruar mandatin! Do ta dëgjojmë si gjithnjë dhe kundër Shqipërisë, teksa bashkon ‘zërat’ me Berishën, në akuzat ndaj qeverisë dhe shtetit shqiptar! Kundër integrimit në BE! Dhe sa për ta ditur, Meta në gjendje qetësie, nuk është njeri që bën ‘qoka’ falas! I kalkulon deri në detaje për të marrë më maksimalen e mundshme! Të shohim sa do t’i ecë!











