Nga Ben Andoni
A ka mundur qytetari Bajram Begaj të kthehet në qytetarin numër Një të Republikës?! Pyetje e vështirë për nihilistët; disi me ekuivoke për njerëzit normalë dhe e qartë për optimistët.
Nëse presidenti Begaj do të donte të bënte protagonistin, do t’i duhej të ishte më shumë në TV dhe në deklaratat e tij të zgjidhte batutat që komunikimi mediatik i qëmton me kujdes. Ilir Meta, paraardhësi i tij e shndërroi gati në folklorik mandatin, kurse edhe në momentin që ktheu me të drejtë shumë dekrete, me populizmin dhe komunikimin tregoi se institucioni vuante krizën e madhe të atributeve të reduktuara, por edhe hijen e Ekzekutivit.
Kryeministrat Berisha dhe Rama në përpjekjen e tyre të zakonshme për protagonizëm shpesh e kanë anashkaluar institucionin. Dihet gatishmëria gati proverbiale e presidentit të ndjerë Nishani, që respektin ndaj Berishës e ngriti në apoteozë; apo përballja e qetë e socialistëve me presidentin Meidani, që arriti deri diku të ndante institucionet e pavarura; kinse mëvetësia e Metës apo luhatjet e detyruara të Topit, që nisi t’i tregonte pak e nga pak vendin Berishës. Kryeministrit Rama “i erdhi” mundësia vetëm me zgjedhjen e doktorit ushtarak Begaj.
Është hipokrite që të thuash se zgjedhja ishte e papritur, pasi për socialistët nuk kishte zgjedhje më të mirë. Ani pse, dukej e kalkuluar mirë. I sjellshëm, i pazhurmë, Begaj ngjiti dalëngadalë të gjithë hierarkinë para vetes. Dhe, Bajram Begaj, deri më tani, e ka treguar me një edukatë institucionale pak si të tepruar këtë nderim. Duke shtuar kurimin e munguar të figurës së tij, që propaganda e Ekzekutivit e ka vendosur nëpërmjet forcës së imazhit për ta treguar se ai është thjesht zgjedhje e Ramës, presidenti Begaj duket se e ka nisur me shumë frena.
E tepruar paraqitja e imazhit, përballë Ramës (gabime jo të vogla të imazhit nga protokolli), por më shumë se kaq shmangja e tij nga pritja me Klintonin, paçka justifikimeve që u nxorën. Sikur të mos mjaftonte kjo, presidentit shqiptar i është dashur t’i mbijetojë dhe kapriçove të Kosovës.
Qysh në vizitën e parë zyrtare, jashtë vendi (Kosovë), presidentit Begaj ose më saktë ekipit të tij, i është dashur të zgjidhë një problem me drejtuesin e ri të LDK-së, Lumnir Abdixhiku, për vendin e takimit. Në dukje e pavërejtshme, por në thelb, një nga ato gjëra që po i bëjnë marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë jo shumë të qeta. E ka provuar dhe Ramush Haradinaj, por presidentja asokohe e re Vjosa Osmani, e cila sapo kish marrë drejtimin e shtetit të Kosovës, nuk e ka fshehur karshillëkun ndaj Shqipërisë. Shqipëria e Kosova të “firmosin një pakt për mbrojtjen e ndërsjellë!!!”, kërkoi ajo, duke harruar thelbin se: Kosova mbrohet nga misioni i NATOs dhe Shqipëria është vendi i Paktit të Atlantikut Verior.
Përgjigja e Begajt ishte e kujdesshme, por edhe e mësoi se përballjet me Kosovën do ishin të sikletshme. Është për t’u vlerësuar se presidenti Begaj nuk ka dashur protagonizëm në të gjithë këto kohë dhe nga ana shqiptare ka bërë atë që duhet bërë më mirë: Ka dëgjuar me kujdes Prishtinën! Ka kërkuar bashkërendim me partnerët, por ndryshe nga të tjerët që i janë vënë në kurriz kryeministrit Kurti dhe Osmanit, koleges së tij kosovare është munduar t’u tregojë një dimension paqtimi. E vlerësueshme është edhe mënyra sesi foli nga të parët me komandantin e KFOR-it ditët e sherreve të fundit në Veri. Veçse ashtu si paraardhësit e tij nuk ka mundur të ngrejë më shumë dhe cilësisht çështjen e Luginës së Preshevës.
Tashmë të drejtat e saj, sipas logjikës së shtetit serb, që respektohet për fatin e tyre dhe nga Bashkësia Evropiane i ka Shqipëria. Është një hapësirë e tërë, ku ai më bashkëpunëtorët e tij duhet të punojnë, sa i përket projekteve të punësimit dhe ndihmës sociale. Lugina po zerohet dhe nuk është e largët dita, kur do ketë popullsi edhe më të reduktuar shqiptare. Kosova, për fatin e keq, me gjithë detyrimin e saj organik ndaj Preshevës, i është marrë si territor, në kohën e reformave në ish-Federatë, ndaj nuk i njihet mbrojtja e Preshevës, sepse vetë ajo nuk njihet si shtet nga Beogradi zyrtar Nga ana tjetër, Presidentit Begaj i duhet të ushtrojë detyrën për ruajtjen e unitetit kombëtar në kohën e një përçarje të madhe politike të opozitës, të një pushtetit legjislativ, krejt jo efikas dhe më shumë se çdo gjë tjetër: të humbjes së shpresës. Nga Shqipëria janë larguar 46,460 persona si emigrantë gjatë vitit të kaluar, raporton Instituti i Statistikave në publikimin më të fundit për popullsinë e vendit. Ajo që bie në sy nga statistikat publike në rastin e popullsisë është fakti se emigrimi në vitin 2022 ka prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2014. Asokohe bëhej fjalë për 46,525 të larguar. Pra, vetëm 65 emigrantë më shumë se në vitin 2014 (Scan, 2023). Ky mund të ishte një kauzë, që presidenti mund t’i dedikohej dhe që ia vlen, paçka mundësive të kufizuara të atributeve të tij.
Ashtu si z. Begaj duhet të jetë dhe shumë i kujdesshëm me parlamentin shqiptar, jo thjesht për ligjet që duhet të dekretojë, por edhe në vërejtjet e mënyrën si ato duhet të vinë dhe si përgatiten. Akademiku Fuga i është drejtuar në orët e fundit me një letër për të parë efikasitetin e disa ndryshimeve të ligjit në fuqi për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë, së bashku Ligjin për Kanabisin dhe atë për Diplomat e Studentëve të Mjekësisë. Mund të niset edhe këtu. A ka ardhur koha që presidenti të bëhet një digë, ku ligjvënësit duhet të kuptojnë dhe të ndjejnë se Shqipëria e tyre politike nuk është e maturuar dhe parlamentarët shqiptarë nuk mendojnë për Shqipërinë e të ardhmes, por për sherre dhe një protagonizëm fals, që kuptohet se u fal një ulëse në zgjedhjet e ardhshme?!
Këto janë pak gjëra, që një president i qetë dhe i kulturuar si z. Begaj mund t’i adresojë si duhet, por mbi të gjitha të vendoset edhe vetë shumë më tepër në shpirtin dhe nevojën e shqiptarit të thjeshtë. Pa dashur të ulim rëndësinë e tij të takimeve me kolegët e huaj, Shqipëria ka nevojë “të zbulohet” në problemet social-ekonomike dhe mbi të gjitha të inkurajohet. Dhe, në pozicionin e tij, z. Begaj, mund të zbriste shumë më tepër në terren me njerëzit. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë e përçarë kaq shumë nga politika; kurrë krimi s’ka pasur kaq pushtet dhe mbi të gjitha pak herë në 30 vite demokraci kemi qenë kaq të pa shpresë…
Presidenti Begaj e tregoi në momentin e parë kur takoi paraardhësin e tij Moisiu, se ai do ishte një lloj modeli, paçka se tashmë duhet të krijojë modelin e tij, ku jo pak herë protokolli i vet ia bën të vështirë. “Nëse nuk ndërmerr rreziqe, nuk do të pësosh humbje. Por nëse nuk rrezikon, nuk gëzon dot asnjë lloj fitore”, shprehej dikur presidenti Richard M. Nixon. Duke respektuar mandatin e parë normal të një presidenti të kulturuar, ka ardhur koha për pak më shumë rrezik (protagonizëm-le ta quajnë) të vetë presidentit Begaj. Kjo është mënyra sesi mund t’ua kthejë respektin shqiptarëve që sërish e nderojnë dhe ta bëj vendin e tij në histori si Qytetari Një në dekadën e tretë të Shekullit XXI. (Homo Albanicus)