Në ditën e shenjtë të Pashkës, Presidenti Bajram Begaj vizitoi famullinë e Shëngjinit për të uruar besimtarët e krishterë.
I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deputetë të Partisë Socialiste dhe autoritete të tjera vendore, Presidenti u prit nga famullitari Angjelin Krygja.
Gjatë vizitës, kreu i shtetit iu bashkua ritualit fetar në kishë, duke përcjellë mesazhe shprese, besimi dhe solidariteti.
“Kjo ditë e shenjtë është një ditë që na bën të kemi një reflektim të thellë shpirtëror dhe një kujtesë të fortë që e mira mbizotëron mbi të keqen. Dashuria dhe sakrifica do të mbizotërojnë jetët tona. Harmonia fetare në Shqipëri është gurthemeli i shoqërisë tonë,” u shpreh Begaj.
Presidenti theksoi se Pashkët sjellin paqe, shpresë dhe bekim për çdo familje, duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit dhe respektit mes besimeve si forcë e shoqërisë shqiptare.











