Presidenti Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar forcimin e institucioneve dhe rritjen e njohjeve ndërkombëtare.
“Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!”, shkruan Begaj.
Begaj shpreh mirënjohje edhe ndaj partnerëve strategjikë të Shqipërisë dhe Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE-së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT!”, përfundon mesazhi i Presidentit Begaj.
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.











