Problematikat e ekonomisë bujqësore në zonën e Myzeqesë, ishin në fokus të vizitës së presidentit Bajram Begaj në Bashkinë e Lushnjes. Në njoftimin e Presidencës thuhet se kreu i shtetit bisedoi me autoritetet lokale, kryebashkiaken Eriselda Sefa dhe me fermerët, teksa vizitoi edhe disa fabrika vaji ulliri dhe serrat me produkte bujqësore në njësinë administrative të Ballagatit.
“Erdha për t’ju thënë faleminderit! Këtë tokë të bekuar të Perëndisë e keni punuar duke e shndërruar si një qilim të qëndisur. Djersa, puna juaj, e ka bërë këtë vend të bukur, të mrekullueshëm! Duhet të vijmë më shpesh, t’ju takojmë, t’ju dëgjojmë e t’ju ndihmojmë. Ju të gjithë, burra e gra, që punoni me ndershmëri, jeni krenaria jonë”, u shpreh presidenti, i cili vlerësoi edhe banorë të zonës që janë kthyer nga Italia, Greqia apo Gjermania dhe po investojnë në tokat e tyre me kultivimin e ullinjve e të produkteve bujqësore, me fabrika e serra të teknologjisë së fundit.
Presidenti i nxiti sipërmarrësit të ndërtojnë modele agroturizmi që të arrijnë përfshirjen e kësaj zone në hartën e pikave turistike të vendit.
Begaj vlerësoi edhe nismat e komunitetit për organizimin e përbashkët në shoqëri dhe shoqata për të konkurruar në treg me markat e tyre.