Zëdhënësja për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në BE Maja Koçijançiç ka reaguar pas akuzave në Tiranë ndaj ambasadores Romana Vlahutin. Nëpërmjet një deklarate për mediat ajo ka dënuar akuzat duke i cilësuar shpifje kundër delegacionit të BE. Po ashtu, ajo ka theksuar mbështetjen dhe besimin e plotë të BE te ambasadorja Vlahutin.
Deklarata e Maja Koçijançiç:
“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për shpifjet që janë shfaqur në shtyp kundër Delegacionit të BE-së dhe Kreut të Delegacionit në Shqipëri, Ambasadores Romana Vlahutin. BE-ja shpreh besimin dhe mbështetjen e plotë tek Ambasadorja dhe gjithë i ekipi për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre.
Delegacioni do të vazhdojë, me përkushtim dhe në koordinim të ngushtë me institucionet e BE-së, ta shoqërojë Shqipërinë në reformën e saj të vështirë të shtetit ligjor për të vendosur një sistem gjyqësor të qëndrueshëm dhe të besueshëm, të cilin qytetarët e Shqipërisë e duan dhe e meritojnë. Shqipëria është një vend kandidat, që siç konfirmohet nga raporti i Komisionit i nëntorit 2016, po bën progres të fuqishëm drejt BE-së dhe ne do të ofrojmë vazhdimisht mbështetjen tonë që ky vrull të vazhdojë.”










