Bashkimi Evropian dukej se ofroi mbështetje të përmbajtur për sulmet e SHBA-së ndaj Iranit. Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, e përshkroi situatën si “të rrezikshme”.
“Regjimi i Iranit ka vrarë mijëra njerëz. Programet e tij të raketave balistike dhe bërthamore, së bashku me mbështetjen për grupet terroriste, përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë globale. BE-ja ka miratuar sanksione të forta ndaj Iranit dhe ka mbështetur zgjidhje diplomatike, përfshirë për çështjen bërthamore,” shkroi ajo në platformën X.
“Kam folur me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Saar, si dhe me ministra të tjerë në rajon. BE-ja po ashtu po koordinohet ngushtë me partnerët arabë për të eksploruar rrugë diplomatike”.
“Mbrojtja e civilëve dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare janë përparësi. Rrjeti ynë konsullor është plotësisht i angazhuar për të lehtësuar largimin e qytetarëve të BE-së. Personeli jo thelbësor i BE-së po tërhiqet nga rajoni.”
“Misioni ynë detar EUNAVFOR Aspides mbetet në gatishmëri të lartë në Detin e Kuq dhe është i gatshëm të ndihmojë për të mbajtur të hapur korridorin detar”.











