Bashkimi Evropian ka dënuar sot vrasjen e kreut të programit bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrizadeh, në një atentat me stil terrorist, duke e quajtur “akt kriminal.
Zëdhënësi i çeshtjeve të jashtme të BE, Peter Sano, tha se vrasja e shkencëtarit iranian pranë kryeqytetit Teheran, shkel parimet e të drejtave të njeriut.
“Ky është një akt kriminal që shkel parimet e respektit për të drejtat e njeriut, çka BE përfaqëson,” tha zëdhënësi në një deklaratë.
Ai shprehu gjithashtu ngushëllime për familjen e Mohsen Fakhrizadeh dhe i uroi shërim të shpejtë të plagosurve në sulm.
“Në këto kohë pasigurie, është e rëndësishme që të gjitha palët të mbeten të qeta e të përmbajtura duke evituar përshkallëzime që nuk janë në interes të asnjërit”, shtoi ai.
Sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres theksoi rëndësinë e përmbajtjes përballe përshkallëzimeve rajonale pas vrasjes së shkencëtarit të lartë iranian.