Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka telefonuar sot drejtuesin e AstraZenecas për t’i kërkuar që ai të respektojë kontratën për shpërndarjen e vaksinës së saj antiCOVID-19 konform kontratës me Bashkimin Europian, pas njoftimit për vonesa, sipas zëdhënësi të saj.
“Shpërndarja e vaksinave të AstraZeneca/Oxford, pas një drite të gjelbër nga rregullatori europian që pritet më 29 janar, do të jetë më e ulët se sa pritej në tremujorin e parë për shkak të një “rënie të rendimentit” në një vend prodhimi”, paralajmëroi disa ditë më parë grupi britanik.
“Ursula von der Leyen foli sot në mëngjes në telefon me drejtorin e përgjithshëm të AstraZeneca, Pascal Soriot, dhe ajo konfirmoi shimë qartë se priste që AstraZeneca të respektojë kontratat dhe kushtet e parashikuata në marrëveshjen e arritur nga BE”, theksoi një zëdhënës i Komisionit.
Shefja e ekzekutivit europian i kujtoi atij veçanërisht se BE kishte investuar shuma të konsiderueshme në laboratorë, pikërisht për të siguruar që prodhimi të rritet përpara miratimit për marketing.
“Sigurisht, problemet e prodhimit mund të lindin me një vaksinë komplekse, por ne presim që kompania të gjejë zgjidhje dhe të shfrytëzojë të gjitha fleksibilitetet e mundshme për të siguruar shpërndarje të shpejtë”, shtoi zëdhënësi në një konferencë shtypi.
Çështja e afatit do të diskutohet në mesditë në një takim të komitetit drejtues të BE-së që bashkon përfaqësues të laboratorit dhe të vendeve anëtare.
Edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel kërkoi dje që kompanitë farmaceutike të japin prova transparence mbi shkaqet e vonesave për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19, të njoftuara nga AstraZeneca dhe Pfizer.
“Ajo që kërkojmë nga këto kompani, është një dialog transparent”, deklaroi Charles Michel në emisionin “Le Grand Rendez-vous” të radios franceze Europe 1, për stacionin televiziv “CNEWS” dhe të përditshmen “Les Echos”.
“Sigurisht (…) që ne synojmë të zbatojmë kontratat të cilat janë vërtetuar nga kompanitë farmaceutike”, theksoi presidenti i Këshillit, i cili përfaqëson 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Komisioni Europian, i ngarkuar në emër të 27 vendeve të BE-së, ka nënshkruar një kontratë për të porositur në avancë deri në 400 milionë doza të vaksinës AstraZeneca/Oxford.