Bazë e kultivimit të drogës në kontenier, arrestohet një 58–vjeçar
Policia e Korçës njoftoi se zbuloi një bazë të kultivimit dhe përpunimit të lëndës narkotike kanabis sativa. Në pranga është vënë 58 – vjeçari Muhamed Gedaj, banues në këtë qytet. Ai akuzohet se zhvillonte aktivitetin e paligjshëm, të kultivimit të bimëve narkotike, në një ndërtesë në pronësi të tij, në rrugën “1 Maji”.
Nga kontrolli i ushtruar, në brendësi të kësaj ndërtese, u konstatuan dhe sekuestruan si provë materiale 66 rrënjë, bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, me lartësi nga 10 – 100 cm.
Lënda narkotike ishte mbjellë në një ambient të posaçëm kontenieri, të përshtatur me ndriçim dhe ngrohje artificiale, që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Policia thotë se edhe energjinë që përdorte për kontenierin ku mbillte drogën, autori e kishte lidhur në mënyrë të paligjshme.