Reali fitoi 2-1 gjysmë finalen e parë kundër Bajernit në Mynih të mërkurën, por në dhomat e zhveshjes së kampionëve të Europës e dinë mirë se nuk ka përfunduar asgjë dhe në “Santiago Bernabeu” duhet bërë edhe pjesa e mbetur e punës.
Problemi është se tempulli i futbollit madrilen ka qenë teatër vuajtjesh këtë sezon. Ajo që ndodhi ndaj Juventusit (humbja 3-0) në çerekfinale është një leksion që duhet të shërbejë si kambanë alarmi për gjysmëfinalen e kthimit kundër gjermanëve.
Deri tani, “Los Blancos” kanë fituar më shumë ndeshje dhe humbur më pak jashtë shtëpisë së tyre. Dhe forma brenda e shqetëson jo pak Zinedin Zidanin.
Pesë herë gjatë këtij sezoni, miqtë që kanë vizituar kryeqytetin spanjoll janë larguar me fitore. Dhe këtyre duhet t’u shtojmë edhe 7 barazime dhe vetëm 14 fitore, çka e bëjnë fortesën e “galaktikëve” aspak të frikshme për kundërshtarin.
Herën e fundit që bavarezët shkelën në “Bernabeu”, arritën të barazojnë humbjen 2-1 të ndeshjes së vajtjes, duke e dërguar ndeshjen në shtesë.Dhe Zidan dhe futbollistët e tij e pranuan pas fitores në Mynih se janë të përgatitur për të vuajtur edhe në Madrid.
Menjëherë pas Bajernit, i pret një tjetër ndeshje e vështirë si “El Clasico”. Por me një rezultat pozitiv në Gjermani dhe një leksion të mësuar në çerekfinale, Zidani duhet të jetë vigjilent, por kurrsesi i trembur për të martën e ardhshme, pavarësisht se Betis, Barcelona, Vijareali, Leganesi dhe Juventusi janë skuadrat që kanë ardhur këtu dhe kanë fituar këtë sezon.
Reali nuk fiton një ndeshje në shtëpi prej më shumë se një muaji kundër Gironës. Atletiko, Juventusi dhe Bilbao janë skuadrat që kanë ndalur mbretërorët të fitojnë duartrokitjet e publikut të tyre, por tani nuk ka më justifikime. E marta po troket dhe aty do të luhet ndeshja më e rëndësishme e sezonit, përgatiti Blic. (b.an)










