Nga Jakin Marena
Që konflikti në PD mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për lidershipin po shkon drejt përplasjes finale, këtë fakt askush nuk e mohon. E themi këtë pasi akuzat dhe kundërakuzat ndaj njëri tjetrit po lëvizin me shpejtësi drejt niveleve më të larta, aq sa mund të quhet një situatë e pakthyeshme në pikën fillestare, kur palët “bashkëjetonin” në qetësi me njëri tjetrin në PD.
Koha kur Basha bënte kryetarin e bindur për të zbatuar të gjitha “porositë” që merrte nga Berisha, dhe lideri historik qeveriste në prapaskenë, tashmë zyrtarisht ka marrë fund dhe në fund të herës në krye të PD do të jetë njëri prej tyre.
Pikërisht i “mbijetuari” nga përplasja finale për postin e kreut të PD. Me ose pa vulë në xhep, me apo pa seli ku të “mbledhin” plaçkat e partisë, demokratët më në fund do t’i japin fund dilemës 8 vjeçare se kush është kryetari real i PD.
Deklarimi i datës së mbledhjes së Kuvendit më 11 dhjetor nga Berisha, mbështetur sipas tij në 4200 firmat e delegatëve që kanë të drejtë ta mbledhin dhe pa pyetur kryetarin forumin më të lartë të partisë, ka shuar që në fillim zërat nga njëra palë se do të ketë kthim prapa.
Ndonëse lidershipi zyrtar aktual i PD i kryesuar nga Lulzim Basha më se njëherë e quajti një bllof tërë nismën e Berishës për të mbledhur Kuvendin më 11 dhjetor, përmes zhvillimit dhe të një sërë “Foltoresh” nëpër rrethet e vendit, pasi kërkoi në mënyrë zyrtare verifikimin e formularëve të nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, kishte të drejtë për këtë, nuk u gjend asnjë pikë takimi deri më tani për arritjen e një kompromisi që do evitonte ndarjen e PD në dy pjesë.
As propozimi i kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka, që ka në zyrën e tij 4200 formularët e firmosur nga delegatët që pretendon Berisha, propozim sipas të cilit të ngrihet një grup punë i përbërë nga përfaqësues të Bashës dhe të liderit historik që të verifikojë një për një përputhjen me statutin të këtyre formularëve, nuk zuri vend si urë bashkëpunimi për uljen e gjakrave.
Por as propozimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi që tre propozimet e kryesisë së kësaj partie, të përfshiheshin në rendin e ditës për Kuvendin e 11 dhjetorit, nuk u miratuan nga Berisha, nën pretendimin se nuk ndryshohet rrugës rendi i ditës i deklaruar i Kuvendit të PD.
Me sa duket palët janë të vendosura për t’i shkuar në fund konfliktit. Berisha për të nxjerrë inatin e tij me kreun zyrtar të PD, pasi e përjashtoi nga grupi parlamentar i kësaj partie me kërkesën dhe të ambasadores së SHBA sikurse deklaroi publikisht vetë Basha, vetëm pak ditë pas shpalljes së Berishës nga DASH familjarisht “non grata”.
Ndërsa vetë Basha, normal, duke pasur dhe mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, po lufton që nga Tirana për të mbajtur fort postin e kryetarit të PD dhe për të pretenduar që në ballafaqimet elektorale me kundërshtarin politik Edi Rama, të mundë ta pasojë atë në postin e kryeministrit të Shqipërisë, nëse gjithnjë arrin ta mundë në zgjedhje.
Teksa dështuan të gjitha këto përçapje të palëve në konflikt për të gjetur gjuhën e përbashkët, dhe mundësuar ribashkimin e PD, ka menduar lideri zyrtar demokrat Basha për t’i dhënë një dimension tjetër kësaj përplasjeje. Dhe kjo në mënyrë inatçore sikurse dhe Berisha që kërkon të çojë në fund tërbimin e tij për “besëprerjen” e Bashës, siç e quan ai në çdo foltore përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, nën pretendimin se ka shkelur statutin. Megjithëse Basha veproi drejt me përjashtimin e përkohëshëm të Berishës nga grupi parlamentar!
Basha në mënyrë të papritur në fund të mbledhjes së kryesisë së para disa ditëve ka deklaruar dhe “bastin” fatal në përplasjen me Berishën, atë të caktimit të një date tjetër për mbledhjen e Kuvendit të PD, pikërisht 18 dhjetorin, një javë pas Kuvendit që pretendon se ka thirrur Sali Berisha. Këtu me sa duket ka përfunduar gjithçka e konflikti tashmë është pa kthim, pasi mund të japë vetëm një produkt, kryetarin e ri të PD, por dhe cila palë do të largohet nga kjo parti për të formuar dhe deklaruar një parti të re politike, të dalë nga partia më e madhe opozitare.
Besoj se dëshira e shqiptarëve, një pjese të PD dhe opozitës, e elektoratit gri por dhe e shumicës së shqiptarëve, nuk është e tepërt ta themi, është që të çlirohet më në fund pas 30 vitesh nga Berisha, i cili e ka dominuar me dorë të hekurt PD-në dhe skenën politike shqiptare. Si në pushtet ashtu dhe në opozitë.
Janë një sërë faktorësh që shkojnë në favor të kësaj dëshire, që Berisha të zhduket nga skena politike sa më parë, duke filluar nga gjuha e konfliktit që ka përdorur në 30 vite politikë, ku dhe marrëveshjet me kundërshtarin politik, në favor ose kundër, kanë ardhur si rezultat i krizave të mëdha të krijuara prej tij, që kanë lënë pasoja në memorien e shqiptarëve.
Askush nuk e harron më as 1996-tën, zgjedhjet e para të vjedhura në Shqipëri, vjedhje kjo e certifikuar zyrtarisht nga ana e OSBE/ODIHR dhe partnerëve tanë në mëdhenj, që nuk i njohën ato, as tragjedinë e marsit 1997 pas shembjes ë piramidave mashtruese, ku shteti ra për tre ditë dhe u armatos tërë popullsia pasi u hapën depot e armëve me dhunë. Sherrin e kësaj tragjedie po e ndjejmë dhe sot, teksa me ato armë po bëhen vrasje nga më makabret dhe larja e hesapeve mes bandave.
Nuk mund të harrojnë as grushtin e dështuar të shtetit më 1998 kur u pushtua kryeministria dhe TVSH nga turmat e PD, as protestat e dhunshme të vitit 2000 me skenar pushtimin e institucioneve po nga PD, por as ardhjen në pushtet të Berishës më 2005 dhe zhgënjimin që solli më pas “nusërimi” i tij për herë të dytë.
Qeveria 8 vjeçare e Berishës prodhoi shpërthimin e “Gërdecit” më 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur dhe askush nga lidershipi qeverisës nuk u dënua, pavarësisht se me urdhër të tij i ngrit kjo punishte vdekjeje, vetëm e vetëm që të fitonte më shumë Shkelzen Berisha, djali i tij. As shkatërrimi i drejtësisë me këtë rast dhe për pasojë ngjarjen e 21 janarit ku Garda e Republikës vrau 4 demonstrues me duar në xhepa. Nuk mund të harrojnë shqiptarët as aferën e Rrugës së Kombit ku u zhdukën zyrtarisht 230 milionë euro, as aferën e CEZ-DIA ku shteti shqiptar humbi mbi 500 milionë euro dhe probleme të tjera të këtij lloji.
Dhe mbi të gjitha shqiptarët nuk mund të pranojnë faktin se asnjëherë palët humbëse, sidomos PD dhe opozita nuk e njohën humbjen në zgjedhje. Por akoma më fatale është gjetja si zgjidhje për krizën në PD dhe opozitës e pamundësinë e asaj për të ardhur në pushtet, tek Sali Berisha. I cili duhej të ishte harruar tashmë nga qytetarët shqiptarë si politikan, dhe për të gjetur diçka prej tij ose duhej të kërkohej në motorin e kërkimit Google ose të lexohej ndonjë libër kujtimesh prej tij. Duhej ta kishte bërë për tetë vite që ka dhënë dorëheqjen nga kryetar i PD.
Por për hir të së vërtetës dëshira mbetet dëshirë, dhe kjo nuk e ndihmon aspak Lulzim Bashën në përpjekjen e tij për të mbajtur postin e kryetarit të PD, apo siç ka dëshirë ai ta quajë: një mundësi për t’u dhënë shqiptarëve një PD ndryshe dhe për ta sjellë opozitën në pushtet.
Panelistët apo njerëzit që dëgjohen në publik, dhe që duan një Berishë jashtë politikës, nuk e ndihmojnë Bashën duke i treguar që në fillim se si duhet të jetë finalja e përplasjes me Berishën, pra si duhet të jetë fitorja e tij. Pasi Basha kaq do. Me dembelizmin e tij proverbial dhe si i mësuar ta marrë gjithçka “qyl” në jetë, që nga shkolla e deri tek postet shtetërore dhe politike, këto nga “babai” i tij politik Berisha, Basha “joshet” më shumë të dëgjojë fundin nga këta panelistë dhe këshilltare si si duhet të jetë kryetari i PD, e jo se si është realiteti në fillim dhe sa duhet të djersijë për të arritur të marrë i vetëm drejtimin e PD. Kërkon që të tjerët të luftojnë për të. Dhe me këtë rast i fut një “sy” gjumë, deri pak para 11 dhjetorit!
E themi këtë sepse duam apo nuk duam ne, Sali Berisha ka bazën e partisë më vete, dhe si me vulën e kryetarit të PD si pa vulën e kryetarit të PD, ai atë pjesë të PD, dhe është shumica dërmuese, e tërheq pas vetes dhe nuk mund të quhet kurrsesi e Bashës. Basha s’ka punuar asnjë ditë për këtë, as 8 vite që ka qënë në pushtet, ministër i rëndësishëm apo kryetar bashkie dhe as 8 vite që ka qënë në opozitë, si kryetar i PD.
Gjithnjë ka qënë i mbyllur në një rreth të ngushtë njerëzisht, të familjes ose miq të tij, e asnjëherë nuk ka zotëruar bazën e PD. Kjo duhet t’i thuhet Bashës dhe jo të “mbrohet” në mënyrë fiktive duke e “mëkuar” me teza të panevojshme.
Fakti është se sikurse ka ardhur puna, tashmë në “fushën” politike do të hyhet për dy rezultate: Fitore ose humbje, dhe këtë nuk e përcakton “tribuna VIP” e tifozëve por e përcaktojnë ata që janë poshtë, me votën e tyre. Të cilën, të gjithë bien dakord që fatkeqësisht e ka Berisha. Duam apo nuk duam ne.
Lideri historik, ndonëse është 77 vjeç po i bie kryq e tërthor Shqipërisë në takimet e tij përmes “foltores”, ndërsa Lulzim Basha më pak se gjysma e moshës së “babait” të tij politik qëndron në selinë e PD dhe kërkon të fitojë pa prishur “vijën” e flokëve dhe pa lyer këpucët me baltë.
Eshtë folur shumë për zhvillimin e këtyre dy kuvendeve të PD, njëri i thirrur nga Berisha ndërsa tjetri nga Basha. Me një javë diferencë mes tyre. Legjitim ose jo, Berisha ka treguar se dhe kur është tërësisht gabim, nuk e njeh “marshin indietro”. Pra nuk kthehet prapa. Përkundër Lulzim Bashës, të cilit nuk mund t’i gjejmë një kauzë të çuar deri në fund.
Kjo ka sjellë një dilemë të madhe, në lidhje me faktin se cili do të bëhet nga të dy Kuvendet Kombëtare, në këtë stad ku ka arritur konflikti mes Berishës dhe Bashës, e ku zgjidhja e vetme është ndarja e partisë më të madhe opozitare.
Berisha, e përdor retorikën mirë si “kafshë politike” që është, e quan të kryer Kuvendin e 11 dhjetorit, largimin e Bashës dhe futjen në dorë të drejtimit të PD deri në fund të vitit. Ka deklaruar Kuvend të zgjatur të PD, duke paralajmëruar se Pallatin e Kongreseve ku do të mbajë punimet do ta paguajë për një kohë të gjatë për ta pasur në dizpozicion. Dikush mund të thotë se ku i merr paratë Berisha për të paguar, është pensionist. Po pse është shpallur “non grata” nga SHBA ai dhe familja e tij? Për korrupsion të cilësuar në krye të herës. Pra ka para, shumë madje.
E dyta, Berisha duke luajtur me faktin e kryer, po mendon tashmë për selinë e PD, e cila duhet t’i kalojë pa asnjë pengesë lidershipit të ri. Madje kërcënon dhe Ramën, siç bëri një natë më parë nga Fushë-Kruja që të mos luajë me marrjen peng sipas tij të selisë së PD. “Jemi për ti thënë Edi Ramës, për ti dhënë ultimatum Edi Ramës nga Fushë-Kruja, mos mendo se mund të konfiskosh shtëpinë e demokratëve në Tiranë. Kujtohu mirë se ke zyrë dhe seli partie, dhe i bindur të jesh ti se nuk mund të mbash kurrë peng selinë e PD-së me peng-kryetarin. Ndaj dhe të heqi dorë nga lojërat e turpshme, primitive, me pluralizmin shqiptar”, deklaroi Berisha.
Synimi është i qartë: Pas kuvendit të 11 dhjetorit dhe në vijim, lidershipi i ri i PD, që ai mendon se do ta kryesojë vetë, do të shkojë dhe akomodohet në selinë buzë Lanës, dhe për këtë kërkon që të mos ketë asnjë pengesë. Paratë ‘hedhin ujin përpjetë’, jo më të marrin një seli nën justifikimin se janë drejtuesit e rinj të partisë që do të hyjnë aty, pas zgjedhjes sipas statutit dhe rregullave të partisë. Eshtë një sinjal, fatkeqësisht dhe për Bashën, që të mos dalë kundër, madje kërcënim dhe për organet ligjzbatuese që të qëndrojnë larg debateve në partinë më të madhe opozitare. Kemi thënë, Berisha është “usta” i së keqes, e për këtë ndajnë të njejtin mendim të gjithë, panelistë, këshilltarë qoftë dhe të këqinj, politikanë dhe shqiptarë.
Por Berisha, përmes strategjisë së faktit të kryer të mbledhjes së Kuvendit më 11 dhjetor dhe zhbërjes së strukturave dhe forumeve zyrtare të PD që sot drejtohen nga Basha, kërkon që të ndikojë dhe në Kuvendin e thirrur nga Basha më 18 dhjetor. Mundësisht për ta bllokuar atë. Qoftë përmes bojktotit të delegatëve të Kuvendit, me metodat “demokratike” që di vetë Berisha dhe që nuk ka ngurruar që t’i lëshojë në veprim herë pas here. Askush të mos mendojë se një delegat i Kuvendit të PD, i cili ndoshta është dhe i papunë dhe s’ka të ardhura për të dërguar në shtëpi, të hyjë si “sanduiç” në vorbullën e përplasjes së dy kandidatëve për “pronarë” të PD, pa asnjë shpresë përfitimi. Pasi politika nuk është ideal por interes. Ideali ka “vdekur” me kohë!
Pra Berisha do luftojë që delegatët e Kuvendit të PD të marrin “pushim” më 18 dhjetor, dhe Bashën ta përballë me sallën bosh të Pallatit të Kongreseve, nëse nuk e ka të zënë nga ithtarët vetë lideri historik, për t’i treguar se nuk ka partinë me vete.
Por dhe nëse do të ketë pjesëmarrje të delegatëve të PD në mbështetje të Bashës, larg qoftë ndonjë që nuk është drejtues apo kontigjent që me statut është anëtar Kuvendi, Berisha ka treguar se është i aftë të krijojë incidente. Nuk janë pa gjë informacionet e koridoreve të njerëzve afër Berishës që thonë se nëse dikush vjen nga “iks” rreth si delegat në Kuvendin e 18 dhjetorit, por që nuk është kryetar dege, seksioni apo drejtues siç e përcakton statuti për të qënë delegat, do të ketë “markuesin” e tij nga njerëzit e Berishës nga i njëjti rreth apo qark, apo seksion i PD, që do ta linçojë publikisht dhe do të krijojë kushtet për incidente dhe delegjitimim.
Pra nëse dështon mbushja e sallës së Pallatit të Kongresve më 18 dhjetor, 1200 vetë merr ajo e shkretë sallë, as ¼ e anëtarësisë së Kuvendit jo më 3800 që kërkon kuorumi për të marrë vendime, kjo do të ishte fatale për Bashën, do të ishte një “bast” i humbur përballë Berishës dhe rruga e vetme do të ishte largimi i tij nga posti i kryetarit.
Askush nuk mund ta shpëtojë Bashën, sado dëshirë të mirë të kemi, për qëndrimin në krye të PD. Përballë ka një individ si Berisha që po lufton për veten e familjen, i cili ose i humb të gjitha ose mban këto që ka, por që s’ka rrugë të mesme, pasi ka përballë aleatët tanë të mëdhenj SHBA dhe BE, që nuk i kanë lënë asnjë shteg, por po dëgjon dhe tringëllimën e “mjeteve” të drejtësisë së re, që herët a vonë do ta ketë përballë për të dhënë llogari për zullumet e bëra në 30 vite drejtimi politik dhe shtetëror.
Mundësinë e një bojkoti të Kuvendit të 18 dhjetorit të thirrur nga Basha e ka pranuar dhe njëri prej ish drejturesve dhe deputetëve të vjetër të PD, Myslim Murrizi. I cili jo vetëm njeh të gjitha ‘skutat’ e PD, por dhe ka lidhje me të gjitha krahët në këtë parti.
“Nëse do të bëhej publike lista, e delegatëve, dhe ajo që janë mbledhur firmat, do shkoja me atë të thirrur më 11 dhjetor. Është legalizuar Kuvendi, demokracia është votë e shumicës, pushtet i të shumtëve.
A mundet të shkoja te pakica? 18 dhjetori nuk e plotëson kuorumin. Një Kuvend do të bëhet, i dyti do të tentojë dhe do të dështojë. Nëse shkojnë te i pari, unë nuk mendoj se shkojnë te i dyti se nuk plotëson kuorumin. Të shohim”, deklaroi Murrizi një natë më parë.
Dhe nëse ndodh kjo do të ishte fatale për Bashën, i cili i ndikuar nga paaftësia e tij për të marrë vendimet e duhura në momentin e duhur, që lëviz si lavjerrës mes dëshirave të këshilltarëve të tij të këqinj dhe mbështetësve që nuk njohin bazën e PD, vendosi këtë “bast” fatal, thirrjen e Kuvendit më 18 dhjetor, pa ditur se ka bazën me vete. Thjeshtë dhe vetëm duke lexuar listat, me ndonjë telefonatë në bazë dhe sorollatjen nëpër Tiranë apo ekran më ekran.
Do të ishte fatkeqësi dhe për PD e cila me Berishën në dominim do të qëndronte përjetësisht në opozitë, fatkeqësi për shqiptarët në fund të herës që do kishin një opozitë të copëtuar dhe pa fuqi ndikuese dhe shans për të ardhur në pushtet.
Megjithatë palët kanë hedhur “letrat” në fushë, “basti” është vënë. Më pas nuk ka rëndësi se si do të reagojnë palët kur të konfirmohet “alfa” i PD, do të shkojnë në gjykatë ose jo. Opozita ka rënë përfundimisht, rrënimi po shihet që tani pa arritur finalja.
“Kuvendi u mbyll dhe delegatët ikën”, ishte postulati i nxjerrë nga një film i njohur shqiptar i kohës së komunizmit. Kujt do t’i thuhet në fund kjo shprehje lapidare, mbetet ta shohim!