Zhdukja e fenomenit të basteve të paligjshme online dhe formalizimi i këtij tregu në Shqipëri do të kërkojnë ende shumë kohë.
Në 2 vite, Ministria e Financave ka miratuar vetëm 3 nga 11 aktet e nevojshme ligjore që e bëjnë të zbatueshëm ligjin që legalizon këtë aktivitet, ndërkohë që, në një përgjigje zyrtare për Tv Klan, ky dikaster nuk përcakton se kur do t’i miratojë 8 aktet e tjera, mungesa e të cilave po ushqen informalitetin në terren.
“Deri tani janë miratuar tre akte nënligjore. Janë hartuar projektvendimet të cilat janë në proces konsultimi me Këshillin e Ministrave dhe institucionet përgjegjëse që kanë lidhje me zbatimin e këtij ligji. Pritet që procesi të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë.”
Ky ngadalësim, përtej çdo afati ligjor, justifikohet nga Ministria e Financave me kompleksitetin e lartë teknik dhe nevojën për të harmonizuar sistemet me institucione si AKSHI për platformat teknologjike dhe AKSK për sigurinë kibernetike.
Megjithatë, kjo pritje që po zgjat prej dy vitesh, duke lënë tregun në informalitet të plotë, po i shkakton buxhetit të shtetit humbje të mëdha prej 100 milionë eurosh taksa çdo vit. Ekspertët përllogarisin gjithashtu se kompanitë e huaja që po zhvillojnë aktualisht këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme në Shqipëri fitojnë mbi 500 milionë euro në vit.
Përballë këtyre humbjeve të mëdha financiare, në vend të marrjes së përgjegjësisë për shkak se afati për miratimin e akteve nënligjore është shkelur me mbi 1 vit e gjysmë, kohë disa herë më e madhe sesa është nevojitur për të hartuar vetë ligjin, Ministria e Financave justifikohet tek mungesa e harmonizimit mes institucioneve, tek sistemet teknologjike apo koordinimi ndërkombëtar.
Vonesa lidhet kryesisht me kompleksitetin e lartë teknik dhe institucional të akteve dhe nevojën për harmonizimin ndërinstitucional dhe përafrimin me praktikat e mira, të cilat kërkojnë cikle të zgjeruara konsultimesh dhe verifikimesh, duke qenë se shumica e akteve kërkojnë ngritjen e sistemeve teknologjike dhe konsultim me Bankën Botërore.
Por, teksa Ministria e Financave nuk po arrin ta kryejë detyrën e saj sipas afateve të përcaktuara nga Parlamenti, që kishte lënë gushtin e vitit 2024 si kufi për miratimin e akteve nënligjore, terreni lulëzon informaliteti.
Mungesa e operatorëve të licencuar nuk i ka ndaluar bastet online, por i ka zhvendosur ato në servera të huaj dhe në pika klandestine, ku shteti nuk ka asnjë kontroll mbi arkëtimet apo mbrojtjen e qytetarëve dhe nuk arkëton asnjë taksë.
Ekspertët thonë se aktualisht lojërat e fatit kontrollohen nga krimi i organizuar, i cili, me fitimet marramendëse që po merr nga ky aktivitet, po ndikon që miratimi i akteve nënligjore të zvarritet.
Ministria e Financave nuk u është përgjigjur ende këtyre akuzave.











