Pikat e basteve sportive që janë jo më larg se 200 m nga shkollat dhe kopshtet do të mbyllen brenda 10 ditëve. Kjo masë është parashikuar në ligjin e ri për lojërat e fatit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi në 5 shkurt. Sipas ligjit të ri, distancat nga njëra pikë basti te tjetra duhet të jetë jo më pak se 100 metra në vijë ajrore. Shoqërive të lojërave të fatit, basteve sportive dhe basteve për garat në pistë u lejohet të reklamojnë aktivitetin e tyre në vendet në të cilat organizohen aktivitete sportive të të gjitha kategorive, përveç aktiviteteve sportive të destinuara për personat nën 21 vjeç.
ORGANIZIMI
Ligji i ri për bastet parashikon që asnjë person ose shoqëri nuk mund të organizojë dhe/ose të zhvillojë baste, në qoftë se nuk është i pajisur me licencë dhe nuk plotëson detyrimet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, në zbatim të tij. Të gjitha bastet, të cilat nuk vendosen në kohë reale në serverin qendror të organizatorit për ngjarje sportive të papërsëritshme apo të zhvilluara në kohën kur rezultati i ngjarjeve sportive është pothuajse i vendosur dhe i përcaktuar dhe nuk rezultojnë si baste të vëna në serverin qendror të monitorimit online, janë të ndaluara. Bastet lejohet të vendosen vetëm në pikat e basteve të miratuara nga AMLF-ja dhe të pajisura me adresa sekondare nga QKR-ja për zhvillimin e këtij aktiviteti. Pikat e basteve duhet të respektojnë distancën nga institucionet përkatëse sipas nenit 7 të këtij ligji, që është 100 m larg nga njëra-tjetra në vijë ajrore. Pikat e basteve duhet të plotësojnë kushtet dhe standardet minimale, të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Financave.
PAGESAT
Pagesa për ushtrim veprimtarie për bastet. Personi juridik mund të ushtrojë veprimtarinë për lojërat e fatit për baste kur ka plotësuar kriteret e përcaktuara të këtij ligji: ruajtjen e distancave, pagesat e detyrimeve etj. Kriteret, që duhet të plotësojë shoqëria për t’u lejuar për organizimin dhe ushtrimin e lojërave të fatit për baste sportive dhe/ose baste për gara në pistë janë, si më poshtë vijon: të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, me objekt veprimtarie lojëra fati; të paraqesë certifikatën e regjistrimit me numrin unik të identifikimit të shoqërisë; të ketë kapitalin themeltar të shoqërisë jo më të vogël se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë; të depozitojë dokumentacion të plotë në lidhje me aksionarët e shoqërisë, nga i cili të dalë qartë struktura e pronësisë së subjektit, informacioni për kapitalet dhe interesat e aksionarëve në shoqëri të tjera, si dhe të identifikohet deri në fund individi/individët përfitues; të këtë një marrëveshje paraprake për të bashkëpunuar me njërën nga bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për arkëtimin, depozitimin dhe transferimin e pagesave; të ketë depozituar fondin e garancisë në favor të AMLF-së për shlyerjen e detyrimeve karshi këtij të fundit në përputhje me pikën 2, të nenit 47, të këtij ligji; të paraqesë genplanin e ambienteve ku do të ushtrojë aktivitetin, sipas të cilit vërtetohet distanca nga institucionet e parashikuara në pikën 2 dhe 3, të nenit 7, dhe distancat nga pikat e tjera të basteve sipas nenit 18/5, paragrafi i dytë, i këtij ligji; të paraqesë ekstraktin nga QKRja, ku të vërtetohet se shoqëria është me status aktiv, nuk është në procedura likuidimi, vërtetim nga gjykata që shoqëria nuk është në procedura falimentimi, si dhe vërtetimet e mëposhtme, të lëshuara nga organet kompetente, sipas juridiksionit territorial.
TATIMI
Ndryshim i rëndësishëm në projektligjin që do të shqyrtohet në komisionet parlamentare është krijimi i një skeme të re taksimi mbi lojërat e fatit. Deri më sot, taksimi i shoqërive bazohej kryesisht në taksimin fiks për çdo sallë/ NIPT sekondar/makinë elektronike. Me propozimin e ligjit, nëpërmjet zbatimit të monitorimit online të subjekteve, do realizohet një skemë e re taksimi, e cila konsiderohet një mënyrë e drejtë taksimi mbi bazën e asaj që fitohet nga ky sektor. Veprimtaritë e lojërave të fatit që tatohen sipas dispozitave të këtij ligji, përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe detyrimet tatimore për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit janë 25 % nga të ardhurat bruto nga lojërat e fatit, përveç rasteve të parashikuara ndryshe me ligj të veçantë. Gjithashtu, organizatori i lojërave të fatit derdh në llogari të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) 3% nga të ardhurat bruto nga loja. Organizatorët e basteve sportive dhe të basteve për garat në pistë, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, derdhin në llogari të ministrisë përgjegjëse për sportin shumën prej 0.2% të xhiros vjetore.
TARIFAT PËR KAZINOTË
Në ligj është përcaktuar se “Bingo televizive”, për të gjithë periudhën e licencimit, ka një tarifë prej 40 000 000 lekësh dhe për “Kazino”, për të gjithë periudhën e licencimit, duke filluar nga 1 000 000 000 lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur.
REFORMA
Ligji i ri parashikon që nëpërmjet zhvendosjes së kazinove nga qytetet në zonat turistike, të shndërrohet në një atraksion plus për turistët. Kushtet dhe kriteret janë më të forta për subjektet që do të aplikojnë për marrjen e licencës për çdo kategori lojërash fati.
TARIFA E LICENCIMIT PËR KATEGORITË:
- a) “Baste sportive dhe baste për garat në pistë”, për të gjithë periudhën e licencimit, është: 200 000 000 lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur deri në 500 adresa sekondare në total;
- b) “Bingo televizive”, për të gjithë periudhën e licencimit, është 40 000 000 lekë;
- c) “Kazino”, për të gjithë periudhën e licencimit, duke filluar nga 1 000 000 000 lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetëm një sallë në total;
ç) “Kazino të vendosura në hotelet me pesë yje”, për të gjithë periudhën e licencimit, është 70 000 000 lekë;
- d) “Resort kazino” përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
- dh) “Lotaria Kombëtare”, për të gjithë periudhën e licencimit, duke filluar nga 1 000 000 000 lekë; e) “Lojëra elektronike në distancë”, për të gjithë periudhën e licencimit, është 200 000 000 lekë.
GARANCITË PËR FITUESIT
- Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 5 000 000 lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit të Financave.
- Për krijimin e garancive për shlyerjen e detyrimeve periodike karshi AMLF-së, organit tatimor etj., organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të AMLF-së, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit të Financave.
- Mosngurtësimi i fondeve të garancisë përbën shkak ligjor për pezullimin dhe heqjen e licencës nga AMLF-ja.
- AMLF-ja i propozon ministrit të Financave zhbllokimin e këtij fondi me kërkesë të organizatorit të lojërave, në rast se ky i fundit mbyll veprimtarinë e tij në fushën e lojërave të fatit, pasi ka vërtetuar se nuk ka detyrime tatimore apo detyrime karshi AMLF-së, e vërtetuar kjo nga organet shtetërore përkatëse dhe në rast falimentimi apo heqjeje të licencës së ushtrimit të veprimtarisë.
Balkanweb