Kreu i forumit të Dialogut Politik Ermal Hasimja, i pranishëm në protestën e opozitës u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se ndryshimi nuk vjen nga qielli apo nga kafenetë, por nga angazhimi i drejtpërdrejtë në shesh.
“Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, shpresa nuk vjen nga qielli, as përtej detit, as me helikopter. Ejani dhe krijojeni shpresën në këtë shesh. Ejani jo vetëm për të dënuar qeverinë që nuk e doni dhe jeni shumë. Ejani edhe për t’i treguar forcën tuaj çdo qeverie që do të vijë në të ardhmen, që do të mos mund të abuzojë me vullnetin tuaj. Edhe në qoftë se ajo qeveri do dalë nga ky shesh, nga ky shesh, njerëz të lirë të këtij vendi, njerëz të ndershëm të këtij vendi dhe sidomos ju intelektualë, asnjë ndryshim nuk ka ardhur ndonjëherë nga kafet dhe divanet e rehatshme të shtëpive. Ejani këtu, merrni rolin tuaj dhe bashkohuni me ne”, apeloi politologu.
Duke sjellë në vëmendje 20 shkurtin e 35 viteve më parë që kulmoi me rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha, Hasimja theksoi se qytetarët, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësisë fetare, u bashkuan nga një shpresë e përbashkët për ndryshim.
“Mbi tre dekada më parë, pikërisht te ky kalimi këtu kam qenë bashkë me tim at. Unë kam qenë 15 vjeç. Kemi qenë të gjithë duke parë përpara sampistët me qentë, me kallashnikovët, me autobotet, me bojën e kuqe. Kishim shumë frikë, por kishim shumë më tepër shpresë. Kur shikonim njerëzit rrotull, nuk njihnim asnjeri dhe nuk e dinim a ishin të majtë, a ishin të djathtë, a ishin nga fshati, a ishin nga qyteti, a ishin krishterë, myslimanë, a ishin me fillore apo me universitet. Një gjë e dinim, donim të gjithë të njëjtën gjë dhe ajo që na mbante bashkë ishte shpresa. Ajo shpresë që gjatë gjithë këtyre viteve janë përpjekur të na e venisin. Atë bashkim të asaj dite nuk e ndal dot asgjë. Sot kemi nevojë më shumë se kurrë pikërisht për ato frymë bashkimi, sepse duam një drejtësi të pavarur, e cila të na mbrojë nga të pandershmit, sepse duam zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku të vendosim vetë në mënyrë të drejtë dhe të ndershme se kush do të na qeverisë”, u shpreh Hasimja.
Ai theksoi se kërkesa kryesore është për drejtësi të pavarur dhe zgjedhje të lira e të ndershme, në mënyrë që qytetarët të vendosin vetë se kush do t’i qeverisë.
“Përpara se të vendosni për kë do të votoni dhe kundër kujt do të votoni, bashkohuni me ne që të kërkojmë kushtin minimal të demokracisë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkohuni me ne. Bashkohuni me për të mbrojtur ata gjykatës dhe prokurorë të ndershëm që i nxorën bojën këtij sistemi të kalbur”.
Sipas tij politika mbetet e “pisët” kur të ndershmit tërhiqen dhe u lënë hapësirë të pandershmëve.
“Nëse mendoni se politika është e pisët, keni shumë të drejtë. E mendoj edhe unë. Ajo është e pisët sepse të ndershmit i largohen dhe u hapin rrugë kështu të pandershmëve. Nëse mendoni se politika është e vështirë, keni prapë shumë të drejtë. Është shumë e vështirë sepse ndryshimi kërkon sakrifica. Por mos harroni diçka. Vendi më i sigurt për një anije është porti, por anijet nuk janë bërë për të qëndruar në port. Kanë tjetër mision. Dhe nëse nuk ju pëlqejnë që partitë që janë këtu përpara meje, hajdeni dhe bëni partinë tuaj. Bëjeni vetë. Vetëm mos harroni edhe ne i bëfshi 100 parti, se partia e shqiptarëve është shqiptaria. Qytetarë të vendit tim, e di që jeni thellësisht të zhgënjyer nga politikanët dhe nuk i besoni pothuajse më askujt”.











