Për prezantimin e buxhetit të parashikuar për bashkinë Vlorë për vitin 2016, është organizuar të shtunën në ambientet e teatrit “Petro Marko”, dëgjesë publike me qëllim promovimin e transparencës, i mundësuar nga Instituti i Politikave Publike dhe Private (IP3) dhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë.
Bashkia ka vendosur që zë për zë buxheti të diskutohet në dëgjesa publike, me qëllim që qytetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes për investimet në vitin 2016.
Në hartimin e këtej buxheti, specialistët e bashkisë u konsultuan dhe morën parasysh kërkesat dhe sugjerimet e komunitetit të biznesit, eksperteve të fushës, dhe shoqërisë civile.
Shoqëria civile si aktori më i rëndësishëm i këtij procesi, ka dhënë një ndihmë të paçmuar jo vetëm gjatë hartimit të paketës fiskale, por edhe gjatë kontakteve me komunitetin për evidentimin e prioriteteve të tyre, apo e thënë ndryshe “hallet që kanë në lagje”.
Buxheti i cili pritet të miratohet brenda janarit u prezantua nga Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli . Këtë vit duket se i është kushtuar vëmendje e veçantë investimeve në infrastrukturë, ç’ka zë edhe përqindjen më të lartë të investimeve.
Buxheti për vitin 2016 është parashikuar të ketë shifrën e 1.5 miliard lekë nga të cilat 300 mln lek do të investohen në infrastrukturë.
Administrata e bashkisë i ka kushtuar vëmendje dhe prioriteteve të ish komunave, ku pritet që gjatë këtij viti të ndërhyhet në rikonstruksione zyrash, qendrash shëndetesore, shkolla, kanalizime dhe sisteme vaditje.









