Në Ditën Ndërkombëtarë të të Moshuarve, Bashkia e Tiranës shtroi një drekë në qendrat e saj sociale, për të gjithë ata të moshuar që ndodhen në vështirësi ekonomike. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shërbeu drekën për dhjetëra të moshuar, nënvizoi se, veç infrastrukturës, një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbështetjes së moshës së tretë.
“Erdha t’iu uroj të gjithëve gëzuar festën e 1 Tetorit, Ditën e të Moshuarve. Besoj se një qytet e ka shumë të rëndësishme të bëjë punime në infrastrukturë, për rrugë, për ujësjellës, të ketë parqe, çerdhe, kopshte, shkolla. Por mbi të gjitha, një qytet është shumatorja e njerëzve. Të mos harrojmë se, ajo që e bën qytetin qytet është familja e madhe e njerëzve që banojnë në atë qytet, e kjo do të thotë respekt për këdo që ka dhënë kontribute, që vazhdon të japë kontribute, pavarësisht se ndoshta nuk është në punë aktive, por është në moshën e tretë”, deklaroi Veliaj.
Veliaj tha se bashkia do të vijojë investimet për kënde të reja çlodhëse, që do t’u shërbejnë jo vetëm të vegjëlve, por edhe moshës së tretë, me infrastrukturë të nevojshme për ta.
“E kam thënë se këndet e lodrave nuk janë më shumë për fëmijët, sesa për gjyshërit dhe për gjyshet, sepse është një mjedis ku piqemi edhe si familje, të ndajmë hallet me njëri-tjetrin, të diskutojmë problemet e komunitetit. Ndaj do të vazhdojmë edhe këtë vit, që përveç këndeve të lodrave, të kemi edhe kënde për të moshuarit, edhe një tavolinë ku luhet shah, domino, edhe më shumë hapësira sidomos mes pallateve. Do të vazhdojmë edhe këtë vit me 50 kënde të tjera, që çdo lagje të ketë një hapësirë të gjelbër për të kaluar kohën në natyrë”, tha Veliaj
a.ç