Kreu i bashkisë Erjon Veliaj thirri këtë të hënë në Këshillin Bashkiak një përfaqësi të shtresës së moshës së tretë, e cila, ashtu siç edhe të rinjtë, do të jetë një këshill i bashkëangjitur tek Bashkia, përmes takimeve konstante. Në përbërje të këtij këshilli të të “urtëve” sic e cilësoi Veliaj ka pjesëtarë të komunitetit të veteranëve, ish të përndjekurve etj.
Veliaj tha se bashkia nuk ka harruar këtë shtresë të shoqërisë dhe se për të do të ngrihen e krijohen një sërë hapësirash polivantente dedikuar për të moshuarit.
Në lidhje me vandalizimet e qytetit, Veliaj tha se shkatërrimi nuk mund të jetë një program politik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se PD meret me lajmësin dhe jo me lajmin.
“Vandalizimi i qytetit tonë nuk lejohet, shkulja apo goditja me gurë e objekteve apo ndërtesave të qytetit nuk lejohet në Tiranë. Urinimi në vendet publike nuk lejohet. Këtë qytet nuk e kam ndërtuar unë, unë kam 100 ditë këtu, këtë vend e keni ndërtuar ju.
Nuk mund të jetë ofertë politike shkatërrimi i qytetit; dhuna apo vandalizimi nuk janë programe politike. Çfarë duhet të themi ne, që meqë bulevardin e tiranës e bënë fashistët hajde ta shkatërrojmë? Nëse ne do ta shkatërrojmë këtë qytet në varësi të atij që e ka bërë, kjo nuk do kishte kuptim… ku do të shkelim ne, ku do të kalojmë?
Ndaj e vlerësoj jashtë mase unitetin që kemi patur të gjithë si qytetarë për të mos e shkatërruar qytetin ku jetojmë, se nuk janë me lekët e Ramës, nuk janë me lekët e mia por me paratë e qytetarëve të Tiranës… me lajmësit meren këta, meqenëse lajmësi ishte korrier i PD, ata thanë që nuk ka lajm. Këtu puna është tek lajmi, këta janë të pafuqishëm të meren me lajmin dhe kapen me lajmësin.”- tha Veliaj.