Bashkia e Tiranës do t’i presë Krishtlindjet me një koncert festiv që do të organizohet në sheshin “Nënë Tereza”. Koncerti që nis në orën 18:00, do të sjellë në shesh artistë të njohur shqiptarë, si Kastriot Tusha, Marjana Leka, Armando Kllogjeri, formacioni Fatos Qerimaj, Banda e Tiranës por edhe korin e fëmijëve apo orkestrën dhe korin e Liceut Artistik.
Krahas këngëve të njohura të Krishtlindjeve, në koncertin festiv nuk do të mungojnë as perla të muzikës botërore si “New York – New York”, “You know I am no good” por edhe këngët shqiptare, si “Moj e bukura more” apo “Kur më vjen burri nga stani”. Tenori Armando Kllogjeri dhe sopranoja Majrana Leka nën shoqërinë e orkestrës së UniArteve dhe korit të Liceut Artistik do të sjellin për kryeqytetasit edhe pjesë të zgjedhura nga opera “Turondot” e Giacomo Puçini-t apo opera “La Traviata”e Giuseppe Verdit.
Atmosfera e festës do të përcillet më së miri nga kori i fëmijëve të cilët do të sjellin një kolazh të këngëve të Krishlindjeve ndërsa koncerti do të mbyllet me një video promocionale për Tiranën, por dhe urimin e kryetari të Bashkisë, Erion Veliaj për çdo qytetar të Tiranës por edhe Shqipërisë në këtë fundvit.