Pse qasja e një pjese të madhe të shoqërisë së Kosovës ndaj krimeve është hipokrite? Thuhet se krimet duhet të dënohen në Kosovë, por njëkohësisht nuk ka gatishmëri të zbulohen, arrestohen dhe dënohen as vrasësit e civilëve shqiptarë, e lëre më vrasësit e ndonjë civili rom a serb gjatë apo pas luftës.
Nga Enver Robelli
1.
Nga mesi i dhjetorit 2019 në një pyll afër Liqenit të Badovcit u vra një pylltar. Pak ditë më vonë familjarët e tij dhe mediat njoftuan se viktima ishte marrë në pyetje si dëshmitar i Gjykatës Speciale. Që nga atëherë as policia, as prokuroria nuk ka dhënë asnjë njoftim se deri ku kanë arritur hetimet. Me gjasë askund nuk kanë arritur, sepse kjo çështje do të arkivohet shumë shpejt. Përvoja e deritanishme me këso lloj vrasjesh mundëson një përfundim të tillë. Por, ka propagandistë që zgërdhihen nëpër studio televizive dhe thonë: të zhbëhet Gjykata Speciale, sepse kriminelët duhet të gjykohen në Prishtinë. Dëshmitarin e vrarë në Badovc nuk e përmendin. E dinë shumë mirë se para se të flitet për gjyqësi vendore, duhet të jepet përgjigja: pse janë vrarë aq shumë dëshmitarë në Kosovë?
2.
Në fund të shkurtit në rajonin e Pejës u vra një ish-pjesëtar i UÇK-së. Kufoma e tij u gjet e karbonizuar në një veturë. Viktima mendohet se ka pasur shumë informacione mbi kohën e luftës dhe të pasluftës, kur Peja ishte arenë e përleshjeve ndërshqiptare. Grupe të UÇK-së kundër FARK-ut. Banda kriminale kundër bandave rivale kriminale. Kontrabandistë nafte kundër kontrabandistë cigaresh në betejë për kontroll të territorit. Që nga vrasja në fund të shkurtit as policia, as prokuroria nuk ka dhënë asnjë njoftim se deri ku kanë arritur hetimet. Me gjasë askund nuk kanë arritur, sepse kjo çështje do të arkivohet shumë shpejt. Madje pas vrasjes autoritetet e Kosovës thanë se nuk kanë arritur ta identifikojnë kufomën. Pra, i vrari është varrosur si i paidentifikuar. Megjithatë, ka thirrje hipokrite se gjyqësia vendore duhet të merret me krimet e së kaluarës. Në një vend ku dëshmitarët korren si misri në vjeshtë. Më e sinqertë do të ishte nëse propagandistët e partive të “krahut të luftës” të thonë: nuk duam drejtësi. Pse? Sepse ky është shtet i kapur. Por, aq budallenj nuk janë as propagandistët.
3.
Para disa vitesh në një qytezë në Drenicë dolën njerëz në rrugë për të protestuar kundër një “tradhtari”. Ai ishte dëshmitar kundër një baroni lokal me biografi të UÇK-së dhe me pushtet të madh politik dhe financiar. Protestuesit ia publikuan edhe emrin dëshmitarit. Mund të merret me mend se me çfarë neverie është parë ky akt primitiv nga ana e faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe në Perëndim. Në Kosovë pakkush është shqetësuar me këtë ndodhi. Më shumë si spektakël humoristik është parë edhe kur disa gazetarë dhe një biçim-politikan shkuan në Skandinavi për “me folë” me një ish-oficer të FARK-ut, që supozohej se mund të jetë dëshmitar në Hagë kundër një ish-komandanti të UÇK-së. Ata që vajtën në Skandinavi, u mbajtën në burg pak ditë në Hagë për shkak të aksionit të tyre të palejueshëm, që u interpretua si përpjekje për ndikim (në mos edhe frikësim) të dëshmitarit.
4.
Në vitin 2005 në Dukagjin u vra vëllai i një politikani, që së fundi ka qenë edhe kryeministër. Sot e atë ditë nuk dihet se kush janë autorët e vrasjes. Vetë ish-kryeministri ka qenë i përfshirë në një sulm ndaj një familjeje tjetër në atë rajon dhe ka përfunduar i plagosur rëndë. Kjo lëndë, për aq sa dihet, nuk ka marrë epilog gjyqësor. Ndoshta ish-kryeministri nuk ka qenë fajtor, ndoshta në oborrin e familjes rivale ka hyrë për të kërkuar një gotë ujë. Pas mesnatës. E ndoshta familja rivale ka qenë duke lozur golf me granata në oborr dhe një granatë ka shpërthyer vetvetiu.
5.
Të dalësh në televizion si politikan dhe të flasësh sa për sy e faqe për mbrojtje të viktimave, por të mos kërkosh zbulimin e vrasjeve në Badovc (në dhjetor) dhe në rrethinën e Pejës (në shkurt) – është hipokrizi. (E në këtë hipokrizi po marrin pjesë edhe ministra e deputetë të VV-së). Të dalësh në televizion si politikan apo deputet dhe të flasësh për mbrojtjen e “pastërtisë së luftës çlirimtare”, e njëkohësisht të mos çelësh kurrë gojën mbi domosdoshmërinë e zbulimit të vrasësve të komandant Drinit në Prizren – është hipokrizi. Të dalësh në televizion e të flasësh si politikan apo deputet se raporti i juristit amerikan Clint Williamson e ka rrëzuar raportin e përpiluar nga juristi zviceran Dick Marty – është mashtrim dhe veprim dashakeqës. T’i mohosh krimet, e kur nuk mund t’i mohosh, të thuash “po nuk ka pasur plan për krime”, pastaj të sillesh në rreth për t’i ikur ballafaqimit me faktet – nuk është gjest fisnik. Nëse nuk ka pasur plan, pse atëherë kundërshtohet hetimi i disa individëve, sidomos kur bëhet fjalë për vrasjet e pasluftës, pra vrasje shqiptarësh? Pse Kosova të mbetet e njollosur për shkak të dhjetë apo njëzet individëve që mund të kenë njollosur duart? Të dalësh si deputet në foltore të Kuvendit të Kosovës, siç kanë bërë nga VV, dhe të akuzosh liderë të PDK-së se gjatë luftës e kanë zhdukur pa gjurmë një aktivist të çështjes kombëtare, por njëkohësisht të jesh kundër Gjykatës Speciale – është hipokrizi.
6.
Të heshtësh 20 vjet, të mos brengosesh kur frikësohen dëshmitarët, të mos shqetësohesh kur dëshmitarët “vetëvriten” apo, pasi pranojnë të dëshmojnë, tërhiqen, është dëshmi se nuk je i interesuar për drejtësi. Të kundërshtosh themelimin e një gjykate të përbërë nga prokurorë, hetues e gjykatës perëndimorë (pa rusë, kinezë dhe të tjerë) – është verbëri dhe cinizëm. Sepse një gjykatë e OKB-së, siç e kanë synuar shtetet jomiqësore ndaj Kosovës, do të kishte pasoja më të rënda për shtetin e Kosovës. Të bashkëjetosh 20 vjet me faktin se në këtë vend janë vrarë qindra njerëz dhe askush nuk është përgjigjur – po edhe kjo është sjellje jonormale. Pra, po flasim deri këtu kryesisht për viktima shqiptare që dyshohet të jenë vrarë nga shqiptarët, si – për shembull – Rexhep Luci, Xhemail Mustafa, Haki Imeri, Smajl Hajdaraj. Për romë dhe ndonjë plakë serbe që mund të jetë vrarë nga banditë që mund të kenë keqpërdorur uniformën e UÇK-së, nuk interesohet kush. Nejse, ka një interesim deklarativ. Të pasinqertë. Dhe përherë me arsyetimin: “E çfarë na kanë bërë ata?” Po, Serbia ka ndjekur politikë shtetërore për shfarosjen e shqiptarëve. Dhe po të mbaheshin gjykime edhe një shekull në Serbi, nuk do të mund të gjykoheshin të gjithë vrasësit dhe torturuesit. Tribunali për ish-Jugosllavi me seli në Hagë ka dënuar disa nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të regjimit serb të vitit 1999. Shumica kanë vuajtur dënimet dhe janë kthyer në Serbi. Njëkohësisht Serbia ka themeluar një gjykatë për dënimin e krimeve të luftës, e cila më shumë zvarrit gjykime. Vetëm pak raste të krimeve të luftës në Kosovë janë dënuar në Serbi. Këtu duhet më shumë presion – nga BE dhe SHBA. Presion do të mund të bënte edhe Kosova po të kishte gjatë këtyre viteve një qeveri që nuk shantazhohet.
7.
Kosovës iu imponua Gjykata Speciale. Do të mund të thuhej me siguri të plotë që kjo gjykatë është padrejtësi, po të mos ekzistonte një parahistori. E parahistoria tregon se frikësimi i dëshmitarëve, vrasja e dëshmitarëve, vetëvrasjet misterioze të dëshmitarëve e kanë bërë bashkësinë ndërkombëtare të jetë tejet mosbesuese ndaj drejtësisë kosovare. Kur në fund të vitit 2008 në një aksion mendjelehtë u arrestuan pa ndonjë arsye tre agjentë gjermanë, drejtësia vendore nuk qe në gjendje t’i jep epilog atij rasti. Në fund për lirimin e gjermanëve vendosi një gjykatës nga Afrika, i cili punonte për UNMIK-un. Pra, edhe pas shpalljes së pavarësisë pushteti kosovar ka kërkuar ndihmë nga UNMIK-u. Shumë pyetje mund të shtrohen: pse që më 2008, pas shpalljes së pavarësisë, nuk u kërkua themelimi i një gjykate vendore për dënimin e krimeve të luftës? Kush ta kërkonte? PDK dhe AAK? Interesi i tyre ishte pengimi i drejtësisë. Kur gjykatësit ndërkombëtarë në Kosovë merrnin vendim për të dënuar ndonjë figurë të ish-UÇK-së, gjykatësi vendor (kosovar) nga frika dilte e thoshte: “Unë kam qenë kundër”. Si të fitosh pastaj besimin e bashkësisë ndërkombëtare se seriozisht do të merresh me vrasësit në mesin tënd. Arsyetimi se çështja e krimeve të luftës ka qenë kompetencë e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, qëndron, por një qeveri kredibile, e panjollosur, e cila vërtet do donte të ndërtonte drejtësi të pandikuar, do të kishte gjasa më të mira t’i merrte kompetencat nga misionet ndërkombëtare.
8.
Me neglizhencë është parë edhe puna e raportit të Dick Marty-it. Kur doli raporti, në zyrat e qeverisë së Kosovës mbretëronte vetëm zemërim, por nuk kishte ide se si të veprohet. Mjaftonin parullat “nuk kemi çka të fshehim”. E në vend të parullave është dashur të ketë një politikë proaktive, insistim të menjëhershëm për themelimin e një gjykate në Kosovë, paraqitje të dorëheqjes nga ata politikanë që përmendeshin në raport, konsensus nacional se si do të përballet Kosova me këtë kapitull. Por, politikanët që përmendeshin në raport ishin të fortit e Kosovës, si të jepnin dorëheqje ata? Ata shpresonin se një padi kundër Dick Martyit do ta fundosë raportin e tij dhe çdo gjë tjetër. Kështu, paralelisht me neglizhencën kosovare, raporti i Martyit, i miratuar nga Këshilli i Europës, përfundoi në duart e një juristi amerikan, i cili nuk kishte qasje antikosovare. Akuzat e konfirmuara nga Clint Williamsoni e vunë Washingtonin dhe Brukselin në një situatë të vështirë. Të toleronin themelimin e një gjykate të veçantë nga OKB apo të insistonin në një gjykatë formalisht kosovare me seli në Hagë me prokurorë dhe gjykatës europianë dhe amerikanë? U imponua zgjidhja e dytë, kjo ishte edhe në të mirë të Kosovës. Sapo kaloi në Kuvend themelimi i gjykatës, me sa duket disa ish-liderë të UÇK-së e kuptuan se mund të jenë të rrezikuar, andaj në dhjetor 2017 tentuan të zhbëjnë gjykatën. Ambasadorët e shteteve mike ndërhynë pothuaj fizikisht në parlament për të penguar votimin. Që atëherë ka pasur kërcënime se SHBA-të do t’i tërheqin trupat. E dëshmojnë këtë deputetët e LDK-së, të cilët në një zyrë të kuvendit janë takuar atë natë me ambasadorin amerikan Greg Delawie. Përpjekja për zhbërjen e gjykatës në dhjetor 2017 ishte një dëshmi tjetër ndaj bashkësisë ndërkombëtare se gatishmëria për t’u përballur me të kaluarën në Kosovë është baras me zero. Kur 20 vjet nuk je në gjendje t’i ndihmosh vetes, kur nuk e ke problem që nuk janë sqaruar vrasjet e mbi 20 figurave publike, mos prit të të ndihmojnë edhe shtetet më mike. Këto shtete punojnë me ata njerëz që shumica e popullit i zgjedh dhe i toleron në pushtet. Dhe e paguan çmimin. Populli. Dhe ndoshta një ditë edhe këta politikanë të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm, të cilët u futen njerëzve nëpër oda për të bërë be se nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e filanit. Edhe kjo është drejtësi. Mesjetare. Andaj sa herë që vërehet ndonjë lëvizje e Gjykatës Speciale, nisë të dridhet toka në Prishtinë. Duhet ta kuptojmë, por jo ta mirëkuptojmë frikën e këtyre njerëzve. Ata thjeshtë po bëhen merak që mund të dalin para gjyqit jo vetëm për vrasje të ndonjë pjesëtari të pakicave, por edhe për vrasje shqiptarësh në betejën e tyre për pushtet. Sepse rruga e tyre drejt pushtetit është e shtruar edhe me kufoma shqiptarësh të pafajshëm të vrarë pas luftës. Viktimat kanë emra dhe funksione – prej deputetit deri te kryetari i komunës. Nuk është mirë të hysh në histori si i dënuar për keqtrajtim apo vrasje madje edhe të bashkëkombësve. Por, a është ky problem i Kosovës apo i këtyre njerëzve që po tuten nga hija e së kaluarës? Përgjigjja është e tepërt.