Nga Laura Musa/
Vitet e fundit tendenca për të bashkëjetuar me një kafshë është në rritje. Dhe nuk është fjala vetëm për qenin dhe macen, por edhe për kafshë të tjera si papagajtë, majmunët, peshqit, breshkat etj. Një pjesë e njerëzve janë mjaft të kujdesshëm për shëndetin dhe higjenën e kafshës, por pjesa tjetër mbetet neglizhuese. Ne rast se nuk kryhet vaksinimi apo kontrolle rutinë te veterineri, kafshët kthehen në rrezik të vazhdueshëm për ne dhe për familjarët tanë.
Zoonozat janë infeksione ose sëmundje të cilat transmetohen direkt ose indirekt midis kafshëve dhe njeriut.
Ato mund të shkaktohen nga virus, bakterie, parazite, kerpudha. Sipas studimeve, 60 për qind e sëmundjeve janë zoonoza. Ato mbeten përcaktues themelor të shëndetit të komunitetit.
Por jo të gjitha kafshët kanë fatin e mirë e të pasurit një familje. Është pikërisht kjo kategori që përbën dhe rrezikun më të lartë, kafshët e braktisura. Ato vazhdojnë rrezikojnë jetën tonë cdo ditë duke u endur të lirë në rrugë dhe bashkë me to edhe sëmundjet që ato mbartin duke u kthyer në një burim infeksionesh.
Ato kryejnë çdo proces jetësor në një ambjent të përbashkët me ne duke ndotur ambjetin me një larmi sëmundjesh infektive. Ne jemi dëshmitarë se në çgjëndje ndodhen kafshët e braktisura, ku mjafton tu hedhesh një sy dhe shohim në to një rezervuar sëmundjesh të transmetueshme te njeriu si tërbimi, ekinokoku, leishmania, toxoplasma etj.
Tërbimi është sëmundje virale e cila infekton kafshët dhe njeriun. Mënyra më e perhapur e transmetimit mbetet kafshimi nga kafsha e infektuar. Tërbimi shkon deri në fatalitet (vdekje) prandaj vaksinimi i kafshëve, mbi te gjitha qenve të braktisur duhet të jetë i detyrueshëm.
Leishmanioza është një sëmundje infektive e shkaktuar nga paraziti protozoar vektor-transmetues i gjinisë Leishmania. Eshtë një zoonozë që prek njerëzit, ku qeni shërben si rezervuar.
Ekinokokoza është nje tjeter sëmundje zoonotike me karakter
problematik, e shkaktuar nga parazitët e gjinisë Echinococcus. Njerëzit infektohen nëpërmjet gëlltitjes së vezëve të parazitit nga ushqimet e kontaminuara, ujit, ose nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me bujtësit definitivë.
Këto janë vetëm disa sëmundje, sepse në fakt ekziston një numer i madh i tyre dhe megjithatë nuk merret asnjë masë kundrejt kësaj problematike.
Hapi i parë është hartimi i programeve që kanë si qëllim mbajtjen nën kontroll të zoonozave. Grumbullimi i kafshëve të braktisura, trajtimi i kafshëve të infektuara është një masë në luften kunder zoonozave. Dhe më tej, fushatat e imunizimit të kafshëve më të ekspozuara, janë shumë efektive në parandalimin e sëmundjes. Nuk duhet lënë menjanë kurrsesi higjena, kontrolli i mjedisit dhe shkatërrimi i materialit patogjen i cili mund të ndihmojë në kontrollin e infeksioneve. Për të gjitha këto, ndoshta vlen të përmendet shprehja e vjetër, e përshtatur për këtë rast: kur ke edhe duhet të dish të mbash çfarë ke.









