I rrethuar nga të rinjtë e FRPD-së lideri i opozitës Lulzim Basha ka folur në lidhje me protesën e 18 shkurtit dhe faktin se sipas tij, si asnjëherë më parë liritë dhe fjala e lirë e shqiptarëve janë vënë në rrezik nga qeverisja e të majtëve. Në fjalën e tij Basha iu referua dhe vajzës së Azem Hajdarit, e cila ka ardhur në Shqipëri nga SHBA-të sipas kryedemokratit me shpresë për një të ardhme më të mirë për vendin e saj. Kreu i PD tha se ajo ka vendosur t’i bashkohet selisë blu.

“Nuk u realizua asnjë nga premtimet e qeverisë. Fatin e vendit do ta marrin në dorë vetë qytetarët në protestën e 18 shkurtit.
Nuk pranojmë zgjedhje të vjedhura, në 18 shkurt në Tiranë do të mblidhemi në një protestë mbarë kombëtare dhe të rinjtë do të jenë në ballë të saj.
Sot kemi kërcënimin nga një tjetër tirani e rrezikshme, propaganda dhe fasada. Sot më i paafti, hajduti dhe krimineli ecën përpara, ndërsa i afti nuk ka të ardhme.
Ditën e parë si kryeminister, vendimi i parë do të jetë anulimi i ligjit të Arsimit të Lartë.
Do të hapim edhe filialet që janë mbyllur nga kjo qeveri, askush nuk do të ngelë jashtë arsimit”-tha Basha.











