• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, March 1, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Basha-Selami, duel i heshtur para stuhisë

by Java News
19/07/2017 09:14
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter
Nga Nga Roland Qafoku/

Lulzim Basha e ka lënë veten në hije. Nuk del më në emisione televizive, që, para 25 qershorit, ia caktonin një e më një, – ditën, orën, vendin dhe mënyrën direkt ose me regjistrim. Madje, i caktonin edhe studion e preferuar, edhe gazetarin e preferuar edhe pyetjet e preferuara. Preferenca e tij tani, janë vetëm takime me anëtarësinë të cilat në televizione dalin vetëm në edicionin e lajmeve si kronika 1.5-minutëshe. Duket sikur ai po e vazhdon aty ku e la, por shoqëruar me dilema të mëdha. I pëlqen epoka e çadrës, por stepet kur kujton se me sa turp e mbylli aksionin e tij më të mirë politik, me atë marrëveshje 5-orëshe, kokë më kokë, me Ramën më 18 maj. Debatet me kundërshtarin në salla të çuditshme, me spektatorë të çuditshëm, kanë pak ose aspak entuziazëm. Thjesht, ai po bën një fushatë si të ishte me silenciator.

Nga ana tjetër, për herë të parë që nga mbërritja nga SHBA në pranverën e 2012, Eduard Selami po bën protagonistin. Shqisat dhe reflekset e viteve 1990-1995, i janë zgjuar dhe dalëngadalë, statura e tij po ringrihet. Të gjithë e duan në ekrane dhe për të gjithë gazetarët përbën lajm, këtë verë pa lajme. Zyrtarisht amerikan dhe shqiptar njëkohësisht, edhe në këtë fushatë ai shfaqet i tillë. Megjithatë, ky duket një Eduard shumë larg atij që ne njohëm 22 vjet më parë kur ngriti zërin me një platformë që e kundërshtuan fort, duke e shkarkuar turpshëm për të gjithë, por kur iku e zbatuan pikë për pikë. Nuk ka ndonjë vizion të qartë për drejtimin e PD-së, nuk ka mbështetje, por me sigurinë e humbjes në xhep, ai ka vetëm një fitore të sigurt: Pas 4 viteve nga rikthimi, ajo çka po bën ai, është lajm i parë në media.

Nga e gjithë kjo panoramë, garës mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit i shkon përshtat titulli, por jo përmbajta e filmit të realizimit socialist, “Duel i heshtur”.  Edhe pse në film ishin katër personazhe kryesorë që luftuan për t’u arratisur dhe penguar arratisjen me një anije, regjisori zgjodhi si titull sikur lufta të zhvillohej mes dy personazheve. Simbolikisht, gati kështu po ndodh edhe në garën e PD-së. Ndonëse kemi Lulzim Bashën, Eduard Selamin, Sali Berishën dhe Astrit Patozin i cili përfaqëson një grup senatorësh, në fakt, gara zyrtare është mes Bashës dhe Selamit.

E vetmja arsye është se kjo garë nuk pritet të prodhojë gjë. Fituesi është i ditur dhe që nga e shtuna e 22 korrikut, Lulzim Basha do të marrë edhe një mandat të dytë për të drejtuar Partinë Demokratike, ndërsa Eduard Selami thjesht do të fusë veten në historikun e Partisë Demokratike, se konkurroi për të qenë kryetar për herë të dytë në karrierën e tij.

Edhe më entuziasti nuk mendon kurrë, se Selami ka shanse se do jetë ai fituesi. Kjo garë i ngjan betejës së Ramiz Alisë me Namik Doklen, në garën për President në vitin 1991. Kjo garë i ngjan edhe betejës mes Sali Berishës dhe Uran Butkës për kryetar të PD-së. I ngjan dhe garës për kryetar të LSI-së mes Ilir Metës dhe Luan Ramës, i ngjan edhe garës për kryetar të PS-së mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit.

Më shumë se sa kjo garë, të gjithë, – si në PD, por edhe jashtë saj, – janë të shqetësuar për të ardhmen e kësaj partie. Me shumë të drejtë, Arbi Agalliu, një nga koordinatorët e kësaj partie, tha një javë më parë se Basha ka edhe 500 ditë kohë si kryetar, deri në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Nëse ato nuk do jenë në një rezultat që perceptojnë fitore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, ai patjetër që duhet te largohet.

Por me Selamin në humbje, ç’do bëhet? Gojët e liga ia kanë gjetur vendin, duke aluduar se ai do të pozicionet si Sekretar i Përgjithshëm, në vend të Arben Ristanit. Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë, humbja e tij nuk do të ishte thjesht një humbje, por një katastrofë personale e vlerave më të mira që ai gëzon. Por, nëse Selami e hedh poshtë këtë skenar, padyshim që ai do të rrisë kuotat e veta në politikë dhe nuk është çudi që, në të ardhmen, të jetë një nga personazhet më protagonistë në PD. Gjithçka varet në dorën e tij.

Një tjetër çështje në këtë garë dhe të ardhmen e PD-së, ka të bëjë me heshtjen prej sfinksi të Sali Berishës. Sa e sa herë janë përpjekur demokratët senatorë ta nxisin atë për të ndërhyrë, në këtë që ata e quajnë katrahurë dhe marrje peng të PD-së nga Basha. Më larg akoma shkoi Jozefina Topalli e cila, në emisionin “Debati në Channel One”, tha se Basha ia kaloi edhe Enver Hoxhës, sepse të paktën formalisht ai mblidhte Byronë Politike kur merrte një vendim. E megjithatë, edhe pas kësaj deklarate, Berisha heshti duke bërë që Topalli të nisë dyshimet dhe ndaj idhullit të saj.

Si përfundim, e gjithë kjo fushatë gjithë qetësi, duket si deti përpara stuhisë. Më 22 korrik, vërtet do të kemi një kryetar që do fitojë një mandat të dytë në krye të PD-së. Por pas kësaj date, mund të kemi një stuhi vere që do t’ia rrezikojë seriozisht këtë mandat. Tani, mes Bashës dhe Selamit kemi thjesht një duel të heshtur, natyrisht përpara stuhisë.(AFP.al)

Next Post
Trump pyet hapur ushtarakët: Pse jemi prej 17 vjetësh në Afganistan

Trump pyet hapur ushtarakët: Pse jemi prej 17 vjetësh në Afganistan

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Një vit pas luftës, Putin: Perëndimi nxori “shejtanin nga shishja”, zhvendosi vëmendjen nga korrupsioni

Stalini po rikthehet në Rusi!?

February 28, 2026
Rriten tensionet SHBA-Iran, Trump informohet për opsione ushtarake e të fshehta kundër Teheranit

“Ali Khamenei ka vdekur”, Trump: Besojmë se është e vërtetë!

February 28, 2026
Habit Sali Berisha: Agjentë të infiltruar na thanë se tek ish-vila e Enverit banon Rama, prandaj e sulmuam

Habit Sali Berisha: Agjentë të infiltruar na thanë se tek ish-vila e Enverit banon Rama, prandaj e sulmuam

February 28, 2026
“Brenda Vilës 31 ndoheshin 12 artistë”, Gonxhja për sulmin e PD: Përgjegjësit do ndiqen penalisht

“Brenda Vilës 31 ndoheshin 12 artistë”, Gonxhja për sulmin e PD: Përgjegjësit do ndiqen penalisht

February 28, 2026
Mediat ndërkombëtare: Ali Khamenei është vrarë, trupi i tij u gjet nën rrënoja!

Mediat ndërkombëtare: Ali Khamenei është vrarë, trupi i tij u gjet nën rrënoja!

February 28, 2026
Nxjerr foton e Bardhit duke zbritur nga makina në Kuvend, Murrizi: Pika që s’ju bie, rrini edhe në sediljen mbrapa të dukeni të rëndësishëm

Ish-vila e Enver Hoxhës në flakë, Bardhi tregon pse u sulmua godina me molotovë

February 28, 2026
Trump: Luftën në Iran mund ta përfundoj për 2-3 ditë

Trump: Luftën në Iran mund ta përfundoj për 2-3 ditë

February 28, 2026
E rëndë në Vlorë, fëmija bie nga ballkoni i një banese në Lungomare

Aksident në Durrës, ndërron jetë këmbësori, detajet e para nga ngjarja e rëndë

February 28, 2026
Militantët e PD sulmojnë me molotovë ish-vilën e Enver Hoxhës, panik mes punonjësve të muzeut

Militantët e PD sulmojnë me molotovë ish-vilën e Enver Hoxhës, panik mes punonjësve të muzeut

February 28, 2026
Netanyahu: Khamenei “nuk është më me ne”, populli iranian të çlirohet nga tirania

Netanyahu: Khamenei “nuk është më me ne”, populli iranian të çlirohet nga tirania

February 28, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In