Kryetari i PD Lulzim Basha ka reaguar pas fjalës së mbajtur nga Rama në Konferencën e Shefave të Shtabeve të NATO-s e cila po mbahet në Tiranë. Kreu i opozitës deklaron se kryeministri duhet të “përmbushë detyrat e shtëpisë para se t’u japë mend gjeneralëve me përvojë”.
Basha i referohet mospërmbushjes së detyrimit për të çuar shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 2 % të GDP. por edhe pse Basha akuzon të majtët, këtij niveli shpenzimesh Shqipëria as që i është afruar ndonjëherë gjatë qeverisjes së PD.
Postimi i Bashës:
Përpara se tu japë mend vendeve anëtare dhe themeluese të NATO-s, apo gjeneralëve me përvojë dhe me shumë yje, se c’duhet të bëjë kjo organizatë me rajonin tonë, e në të ardhmen e saj, Edi Rama bën mirë të plotësojë detyrimet që ka Shqipëria. Përmbushja e detyrimeve, nuk është taksë, por kontribut për sigurinë e Shqipërisë dhe të rajonit. Edi Rama e ka zbritur buxhetin për mbrojtjen kombëtare në kuotën më të ulët historike në 27 vjet, 0.75 për qind, si asnjë vend tjetër anëtar i NATO-s. Në vend që të garantojë buxhet për forcat e armatosura, për trajnimin e tyre, për rritjen e kapaciteteve dhe aftësisë vepruese, Edi Rama ka dërguar qindra milionë për fasada godinash, për rehatinë dhe luksin personal të zyrës së ministres, si dhe qindra milionë lekë të tjera janë tretur rrugës nëpër tendera skandalozë sic ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Është jo vetëm qesharake por edhe e rrezikshme të sillesh si lider global kur nuk bën detyrat e shtëpisë.
/a.m.










