Në mbështetje të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të mos lejuar importin e mbetjeve në Shqipëri, Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi rikthimin e referendumit, që qytetarët të mund të shprehen me votë nëse i duan apo jo mbetjet. Duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin, kryedemokrati tha se është kaluar në mënyrë të pabesë ligji që i lejon mafies të mbushë Shqipërinë me plehra.
“PD prej ditës së parë ka qëndruar në mbështetje të kësaj aleance. Qeveria e Edi Ramës në mënyrë të pabesë ka shkelur angazhimin për të mos importuar plehra, por ju ka mohuar referendumin, në mënyrë të pabesë ka kaluar një ligj që i hap rrugë maifes të sjellë plehrat dhe mbetjet e botës për të helmuar shqiptarët. Kjo është një pafytyrësi kriminale, ai jo vetëm e anuloi në 2013 , por në mbështetje të anulimit krijoi një detyrim ligjor që brenda 2016-ës të përfundonin procesin e diferencimit të mbetjeve për pastrim më të mirë dhe ai i riciklimit më të mirë të mbetjeve në vend. Sot ka dështuar me zbatimin e VKM. Sot plehrat e kanë mbuluar vendin lumenjtë e detet, të sëmurët e rrugëve respiratorë, kanceri i mushkërive është 10-fishuar. Sot ia kemi lënë Shqipërinë peng krimit”,- tha Basha.
Duke vijuar akuzat, kreu i të djathtëve u shpreh se Rama po sillet si drejtori psikopat i një burgu.
“Të bashkuar me shoqërinë civile, të bashkuar për të rikthyer votën e qytetarit zgjedhjet e lira dhe të ndershme, drejtori psikopat i burgut të largohet sa më parë. Ta vendosin qytetarët me referendum, të rikthehet moratorium për mbetjet, të rikthejmë dinjitetin e shqiptarëve”, vijoi ai.
BW/d.i.











