Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehu mbështetjen e opozitës për protestën e tregtarëve. Duke folur sot për gazetarët ai deklaroi se Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta nuk shqetësohen për të.
“Është një protestë e drejtë që po detyrohen që për bukën e gojës t’i kthehen mjetit të fundit, që është protesta. Rama dhe Meta nuk e shohin protestën se kanë bërë ecejak sa nga zyrat e tyre te vila e Mehmet Sheut, se kanë të tjera shqetësime këta”, u shpreh lideri i opozitës.
Ai tha se PD dhe Lulzim Basha nuk do të tërhiqen nga kërkesa e qytetarëve shqiptarë të për të rrëzuar “qeverinë e kusarëve Rama- Meta”.
“Këto nuk i shohin, sepse ndërkohë që ndodhi këto, që 73 mijë kanë humbur vendin e punës në dy muaj, këta kanë një preokupim, të ruajnë vendin e tyre të punës, garnizonet e hajdutëve që i janë vërsulur pasurive publike. Ky është shqetësimi kryesor i Edi Ramës dhe Ilir Metës një qeveri që ka humbur çdo lidhje me realitetin”, deklaroi Basha.