Basha: Rama ka çuar dosje në Berlin kundër Ilir Metës
Kreu i opozitës, Lulzim Basha deklaroi mbrëmë në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit se kryeministri Edi Rama ka çuar dosje tek ndërkombëtarët për Ilir Metën. I pyetur për raportin e OSBE-së, Basha u përgjigj se “në shqetësimet tona si opozitë padyshim është korrupsioni dhe akuzat e përbindshme, Rama ka çuar një dosje për Ilir Metën në Gjermani me akuza për tentativa për likuidim dhe kjo është botërisht e pranuar. Gazetarët më kanë thënë që Edi Rama ka çuar dosje në Berlin dhe Bruksel, Ilir Meta dhe Edi Rama kanë akuzuar njëri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme. Këto janë të reflektuara në këtë material. Sali Berisha del dhe flet mbi këtë raport, ndërkohë që Rama dhe Meta nuk reagojnë. Sali Berisha me këtë thotë që nuk diskuton kredibilitetin e këtij raporti”.
Duke folur për ngjarjen Luginës së Patokut ku pati një përplasje fizike dhe me armë të deputetit të Laçit, Armando Prenga dhe familjes Cali nga ku mbetën të plagosur shtatë persona, Basha se Prenga u kandidua si deputet për rekordet kriminale, asnjë ditë në PS. “Futja e personave me rekorde kriminale, me detyrë më të larta shtetërore, siç është roli i Kryebashkiakut, kjo s’ka bërë vaki ndonjëherë. Pse nuk po avancojmë dhe po vetëshpërthejnë zyrtarët me rekorde kriminale. Pamë zëdhënësen e grupit parlamentar socialist, e vërteta që nuk i fshihet laçianëve është që Armando Prenga s’ka qenë asnjë ditë në Partinë Socialiste, janë marrë janë përzgjedhur nga Edi Rama në fushatë elektorale në zona të vështira për PS dhe janë futur pa asnjë veti tjetër, përveç rekordeve kriminale”, tha Basha.
Lidhur me çështjen e dekriminalizimit, Basha tha se janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese. “Këtë çështje shumë të rëndësishme për demokracinë, jam i hapur dhe kam propozuar, para disa muajsh, që ne detyrë parësore kemi ti kthejmë demokracinë qytetarëve. Janë të nevojshme edhe ndryshimet kushtetuese. Unë kam një përkushtim, për një politikë të pastër, të afrohet parlamenti me qytetarët, pasi është krijuar një hendek i pakapërcyeshëm. Deputetët në parlament nuk përfaqësojnë qytetarët”, ka deklaruar Basha. Ndërkohë ai mohoi që në grupin parlamentar të PD ka deputetët me rekorde kriminale.