Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Burrelit dhe Klosit. Zyra e Shtypit pranë selisë blu bën të ditur se Basha është njohur me problematikat e banorëve të cilët janë në kufijtë e mbijetesës.
“Shumë biznese po mbyllen dhe arsyeja e vendosur në mbishkrimet në dyert e tyre është emigracioni. Më të zhgënjyer ndjehen votuesit e majtë të cilët thonë se qeveria u shërben vetëm një grupi njerëzish ndërsa qytetarët janë në varfëri ekstreme. Një invalid u ankua se i është zbritur me 25 mijë lekë ndihma ekonomike nga ministria e Mirëqenies Sociale ndërsa vetëm ilaçe duhet të blejë nga 36 mijë lekë në muaj” – thekson në një deklaratë Partia Demokratike.
Nga ana tjetër mësohet se Basha është shprehur se “më 21 qershor është shansi për t’a zgjidhur këtë”.
“Votoni për uljen e çmimit të energjisë, për faljen e kamatvonesave. Votoni për rikthimin në listën e ndihmës ekonomike të gjithë atyre që janë hequr me të padrejtë dhe shtimin në këtë listë të atyre që kanë nevojë me të vërtetë për ndihmën ekonomike. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç votës. Me 21 qershor me votë kanë shansin të japin zgjidhje këtyre problemeve” – tha Basha në Burrel.









