Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur Universitetin “Fan Noli” të Korçës për t’iu uruar të gjithë studentëve dhe pedagogëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm.
Basha tha se ka zgjedhur universitetin e Korçës si mirënjohje dhe vlerësim për kontributin e çmuar që qyteti i shkollës së parë shqipe ka dhënë dhe në botën universitare.
Në bashkëbisedimin me pedagogë dhe studentë, duke i dhënë përgjigje shqetësimit të tyre, Basha ka theksuar se Partia Demokratike nuk heq dorë nga dëgjimi i zërit të studentëve dhe pedagogëve, reflektimit të zërit të tyre në ligjin e Arsimit të Lartë sepse kjo është një kauzë jetike për vendin.
“Nuk mund të pranojmë që të shkojmë hapa mbrapa në këtë drejtim, që shteti të paguajë më pak, që ju të paguani më shumë, por prapë se prapë ju të keni më pak të drejta dhe shteti të kontrollojë më shumë.”
Zoti Basha ka theksuar se në programin qeverisës të demokratëve, do të rritet financimi për universitetet, do të ulen tarifat dhe do të krijohet akses çdo të riu dhe të reje që kërkon dhe dëshiron të studiojë.









