Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar sot Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si të implikuar në afera korruptive dhe trafiqe narkotikësh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha thekson se si Meta ashtu edhe Tahiri janë nën akuza të rënda, të pakapërdishme. Sipas tij, qytetarët e vendit me jetën që u është bërë ferr nga qeveria, janë shtangur nga këto raste korrupsioni dhe lidhjeje me krimin.
“Numri dy i vendit, Ilir Meta, është zbuluar se ka marrë rryshfet nga një kompani e bekuar prej tij. Faktet janë bërë publike, rryshfeti i tij është paraqitur si argument në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë nga zyra ndërkombëtare e avokatisë, e qeverisë shqiptare.
Ministri i Brendshëm akuzohet nga Dritan Zagani, oficer i lartë i policisë, i angazhuar për vite në luftën anti-drogë, si kumbari i bandave të narkotikëve në Jug, kryesisht në Vlorë. Fakte dhe prova kanë dalë në publik. Mjetet private të ministrit jane përdorur prej kushërinjve të tij Habilaj, që njihen si kokat e trafikut. Aksionet antidrogë të policisë janë dekonsipuar në mënyrë të përsëritur, duke ndihmuar trafikantet e duke vënë në rrezik jetën e oficerit e familjes së tij. Partnerët tanë ndërkombëtarë janë të alarmuar. Ndërkohë që këto ngjarje të rënda ndodhin, Edi Rama i thotë marshalla krimit e korrupsionit, ndan hesapet me ortakët e zyrtarët e tij, dhe i sulet si bishë të pamundurve. Partia Demokratike nuk do të lejojë që vendi ynë të përfundojë në republikë me standardet e Mugabes për korrupsion e me rekordet kolumbiane për drogë. Nuk kemi për ta lejuar. Jemi më të fortë e më të vendosur se kurrë bashkë me qytetarët e vendit”, shkruan Basha.
Këto deklarata të kreut të selisë blu vijnë pas një takimi rreth 40 minuta që zhvilloi me dyer të mbyllura me ambasadorin e SHBA Donald Lu.









