Menjëherë pas verdiktit të Gjykatës së Kukësit për të lënë në burg 11 prej 23 të arrestuarve për protestën e dhunshme të së shtunës kundër pagesës në Rrugën e Kombit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka vënë nën kontroll policinë dhe gjykatat.
“Ky është një regjim që burgos popullin dhe i lë të lirë kriminelët. Lë të lirë Saimir Tahirin dhe Vangjush Dakon. Lë të lirë Qazim Sejdinin, që me bandën e tij terrorizon një qytet të tërë.
E sotmja ka treguar para të gjithë shqiptarëve se Rama ka privatizuar shtetin. Ka privatizuar policinë që ktheu Tiranën në shtetrrethim. Ka privatizuar gjykatën që dënoi qytetarët që protestuan për bukën e gojës. Regjimet që përdorin forcën kundër popullit janë në hapat e fundit.”
Më tej, kryedemokrati tha se Rama i ka orët e numëruara dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë në protestat e thirrura nga sipërmarrësit dhe njerëzit e thjeshtë.
“U bëj thirrje të gjithëve të marrin pjesë nesër në protestat e njoftuara nga sipërmarrësit, nga njerëzit e larguar nga ndihma ekonomike. Do të jemi në Bradashesh, në Vorë, në Çermë. Kjo diktaturë te krimit i ka orët e numërua.”
Gjykata e Kukësit dha të mërkurën nga ambientet e Gjykatës së Tiranës masat e sigurisë ‘arrest me burg’ për 11 prej protestuesve, ‘detyrim paraqitje’ për 10 të tjerë dhe ‘arrest shtëpie’ për 2 protestues. Prokuroria kishte kërkuar ‘arrest me burg’ për 11 nga 23 protestuesit e ndaluar, ‘arrest shtëpie’ për 5 persona dhe ‘detyrim paraqitje’ për 7 të tjerë
a.ç










